Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Videoja e të riu në protestë/ Pezullohen 4 efektivë dhe shefi i Rendit!

Videoja e të riu në protestë/ Pezullohen 4 efektivë dhe

Policia e Shtetit ka pezulluar nga detyra katër efektivë dhe shefin e Rendit në Komisariatin nr. 1, pas pamjeve të publikuara në media ku shfaqet 19-vjeçari i dëmtuar në këmbë, teksa shoqërohet nga policia pranë Parlamentit. Për rastin kanë nisur verifikimet dhe hetimi disiplinor, ndërsa Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, në bashkëpunim me Prokurorinë, po heton rrethanat e ngjarjes.

Reagim i Policisë së Shtetit

Në lidhje me videon e publikuar në media, ku shfaqet 19-vjeçari L. B., i dëmtuar në këmbë, teksa shoqërohet nga punonjësit e Policisë pranë Parlamentit për t’u dërguar në spital për ndihmë mjekësore, Policia e Shtetit ka nisur menjëherë verifikimet për të sqaruar rrethanat e rastit dhe mënyrën e trajtimit të tij nga punonjësit e Policisë.

Pavarësisht verifikimeve të nisura, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm nga detyra të katër punonjësve të Policisë, si dhe të shefit të Rendit në Komisariatin e Policisë Nr. 1, nënkomisar F. K. Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka nisur hetimin disiplinor ndaj tyre.

Gjithashtu, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm, është ngritur një grup i posaçëm, nën drejtimin e Drejtorisë së Standardeve Profesionale, për të verifikuar dhe analizuar të gjitha veprimet e punonjësve të Policisë, nga fillimi deri në përfundim të tubimit, si dhe zbatimin e procedurave standarde të punës. Çdo punonjës që ka shkelur procedurat apo ka tejkaluar kompetencat do të mbajë përgjegjësi.

Ndërkohë, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, në bashkëpunim me Prokurorinë, ka nisur hetimet për rastin.

Policia e Shtetit thekson se aktet e dhunshme të shfaqura prej orësh në kryeqytet, përfshirë dëmtimin, shkatërrimin dhe djegien e pronës, nuk kanë asnjë lidhje me ushtrimin paqësor të së drejtës për protestë dhe nuk mund të justifikohen në asnjë rrethanë.

Policia e Shtetit u bën thirrje personave të maskuar dhe atyre që kryejnë akte dhune e shkatërrimi t’i ndalin menjëherë, pasi do të përballen me forcën e ligjit.

Gjithashtu, Policia e Shtetit u kërkon qytetarëve të distancohen nga personat e dhunshëm, për të garantuar sigurinë e tyre.", thuhet në reagim./K.C/dritare.net