Na ndiqni edhe në

Shëndet

Provova të haja 30 bimë në javë, ja çfarë më ndodhi!

Provova të haja 30 bimë në javë, ja çfarë


Një mënyrë e re për të ushqyerit po fiton popullaritet: konsumimi i të paktën 30 llojeve të ndryshme të bimëve çdo javë, për të përmirësuar shëndetin e zorrëve dhe për të mbështetur një jetë më të gjatë e më të shëndetshme.

Gazetarja e BBC-së, Melissa Hogenboom, vendosi ta provonte këtë sfidë për një javë. Ndonëse në fillim mendonte se do t’i duhej të përgatiste vakte të ndërlikuara dhe të konsumonte sasi të mëdha fibrash, eksperimenti rezultoi shumë më i thjeshtë nga sa priste. Në fund, ajo arriti të konsumonte 51 lloje të ndryshme bimësh, duke tejkaluar objektivin fillestar.

Pse rekomandohen 30 bimë në javë?
Trendi bazohet në një studim të vitit 2018, i cili zbuloi se njerëzit që konsumonin të paktën 30 lloje bimësh në javë kishin një mikrobiomë më të larmishme të zorrëve sesa ata që konsumonin më pak se 10. Studime të mëvonshme kanë sugjeruar se diversifikimi i ushqimit mund të sjellë përfitime për mikroorganizmat e zorrëve, të ndihmojë në uljen e inflamacionit dhe të kontribuojë në shëndetin afatgjatë.

Megjithatë, studiuesit theksojnë se numri 30 nuk është një kufi i prerë. Edhe konsumimi i 20 apo 25 llojeve të ndryshme mund të sjellë përfitime, veçanërisht për personat që deri tani kanë pasur një dietë të varfër në ushqime bimore.

Çfarë përfshihet në listë?
Në llogaritjen e 30 bimëve përfshihen gjashtë kategori kryesore:

Frutat dhe perimet.
Drithërat e plota.
Bishtajoret, si fasulet, thjerrëzat dhe qiqrat.
Arrat dhe farat.
Barishtet aromatike dhe erëzat.
Edhe kafeja, çaji dhe çokollata mund të llogariten, pasi përmbajnë përbërës që mund të jenë të dobishëm për shëndetin. Disa udhëzime sugjerojnë që barishtet, erëzat, çaji dhe kafeja të llogariten si nga një çerek pikë secila.

Ekspertët e ushqyerjes këshillojnë që njerëzit të mos përqendrohen vetëm te ushqimet më të zakonshme, por të përfshijnë edhe drithëra të plota, fara dhe fruta të thata.

Si funksionoi eksperimenti njëjavor?
Gazetarja nuk ndryshoi rrënjësisht rutinën e saj. Në mëngjes konsumonte tërshërë me fara chia, kos dhe fruta të ndryshme. Për drekë zgjidhte sanduiçe ose ushqimin e mbetur nga darka, ndërsa në mbrëmje eksperimentonte me receta që përmbanin sa më shumë përbërës bimorë.

Në menunë e saj përfshiheshin sallata me quinoa dhe thjerrëza, supa me perime, kerri me patate të ëmbla, qiqra, fasule, avokado, arra dhe fara. Ajo përdori edhe produkte të ngrira dhe përbërës që kishte në dollap, duke shmangur nevojën për të blerë vazhdimisht ushqime të freskëta.

Sipas saj, shpenzimet nuk u rritën. Përkundrazi, gatimi i vakteve në shtëpi i dha mundësi të përdorte mbetjet për drekën e ditës tjetër, të konsumonte më pak ushqime të ndërmjetme dhe të shmangte ngrënien jashtë. Edhe fëmijët e saj provuan më shumë ushqime të ndryshme se zakonisht.

Çfarë do të ndryshojë në të ardhmen?
Sfida kryesore nuk ishte gjetja e ushqimeve, por planifikimi i vakteve dhe përgatitja e recetave të reja pas një dite të ngarkuar. Megjithatë, gazetarja kuptoi se mund ta arrinte objektivin edhe duke ndryshuar gradualisht përbërësit e vakteve të saj të zakonshme.

Përfundimi i saj është se nuk nevojitet një dietë e ndërlikuar për të rritur larminë ushqimore. Mjafton të shtohen përbërës të ndryshëm në vaktet e përditshme, si fara në mëngjes, bishtajore në sallata, perime të reja në gatime dhe më shumë drithëra të plota.

Nuk ka rëndësi vetëm sa fruta dhe perime konsumojmë, por edhe sa të ndryshme janë ato. Një dietë sa më e larmishme mund të ndihmojë në mbështetjen e mikrobiomës së zorrëve dhe të përmirësojë cilësinë e përgjithshme të ushqyerjes./dritare.net