Tragjedi hekurudhore në Spanjë, të paktën 10 viktima nga përplasja e dy trenave
Dritare.net

Një aksident i rëndë hekurudhor është regjistruar në Spanjë, ku dy trena janë përplasur në jug të Madridit, duke shkaktuar të paktën 10 viktima, sipas një zyrtari rajonal.
Sipas informacioneve paraprake, në dy trenat e përfshirë në aksident udhëtonin më shumë se 500 pasagjerë. Autoritetet kanë paralajmëruar se numri i viktimave mund të rritet, ndërsa vijojnë operacionet e kërkim-shpëtimit dhe ndihma për të lënduarit.
Operatori hekurudhor Adif bëri të ditur se në aksident janë përfshirë një tren i kompanisë Renfe dhe një tjetër i kompanisë Iryo, e cila operon në linjën Madrid-Sevilje.
Në vendngjarje janë angazhuar forca të shumta emergjence. Sipas një zëdhënësi të shërbimeve spanjolle të emergjencës, po mobilizohen të gjitha burimet në dispozicion, përfshirë disa ekipe zjarrfikëse, tre helikopterë dhe dy njësi të lëvizshme të kujdesit intensiv.
Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, ka reaguar pas ngjarjes, duke u shprehur i tronditur nga aksidenti i rëndë hekurudhor. Ai bëri të ditur se është në kontakt të vazhdueshëm me ministrin e Transportit për të ndjekur situatën dhe reagimin e autoriteteve.
Ndërkohë, ekipet e emergjencës po vijojnë punën në zonën e aksidentit, ndërsa pritet të dalin më shumë detaje mbi shkaqet e përplasjes dhe numrin përfundimtar të viktimave.
Autoritetet spanjolle po monitorojnë situatën, ndërsa hetimet pritet të përcaktojnë rrethanat që çuan në këtë tragjedi hekurudhore./L.F-dritare.net