Pse elozhohet dhuna kaq shumë nga kundërshtarët e Edi Ramës?
Dritare.net

Nga Ylli Pata
Dhuna, si mjet politik që dogji Tiranën prej dy javësh nuk erdhi si rrufe në qiell të pastër. Molotovët, apo armët e tjera vdekjeprurëse të kësaj që quhet protestë qytetarë, por që është vetëm një manovër politike, i kemi në Shqipëri që prej shumë vitesh. Një kryetare bashkie, që sot është edhe firmosëse e peticionit të “petagogëve”, fliste në televizion në 2019 për dashurinë e saj për armën sovjetike antitank me shishe benzine dhe fitil.
Rikthimi i kallashit, 97, djegia, marrja me dhunë e pushtetit është një refren politik i hershëm tek ne. Ndërkaq, me nisjen e Flamingo Revolution, që shumë e konsiderojnë paqësor, por që kishte brenda një dhunë verbale që ju nxiu jetën gjithë bizneseve të turizmit në vend për muaj të tërë, e fryu gjuhën e dhunës ndaj të gjithëve që mendonin ndryshe, e gjitha kjo është një strategji.
Një logjikë apo platformë politike q ënuk kërkon ndryshimin nëpërmjet procesi politik, por tronditjen dhe rrëzimin e procesit politik në fuqi.
Entuziazmi i humbjes së Aleksandër Vuçiçit në Serbi, i cili ndjek të gjitha gëzimet virale në zhvillimet e tjera ku gjenden variacione mbi temën, është krejt jo relevante.
Një proces politik në Shqipëri për të arritur tek një ndryshim normal, pra për të sjellë një klasë apo gjeneratë tjetër, është krejt i mundshëm. Madje ka qenë prej kohësh i mundshëm. Por në këtë ndërmarrjeje nuk kanë hyrë asnjëri prej aktorëve publikë më të zëshëm të kësaj përmbysjeje të dhunshme të Edi Ramës prej vitesh.
Një proces politik, i cili do të vijë natyrshëm siç ndodhi në Hungari apo në Serbi, maksimumi do të përmbysë klasën politike aktuale, por në fakt të gjitha proceset e nisura do t’i vijojë përpara, do t’i lehtësojë edhe më shumë, sidomos nëse kanë mbështetjen e aleatëve perëndimorë.
Por këtu tek ne nuk është synuar një proces politik, por një irruptim i procesit politik aktual, përkatësisht jo thjesht një rrëzim i Edi Ramës, por të gjithë procesit politik që ai ka nisur e ka kryer.
Ndodhi në kohën e armëve kimike për të ndaluar marrëveshjen me amerikanëve, u sulmua marrëveshja për opozitën iraniane, u tentua ndalimi i reformës në drejtësi, më pas procesi i avancimit në BE, e së fundi investimet e mëdha në Zvërnec e në Sazan.
Një proces politik sjell një zhvillim evolutive, një ndjekje apo vijim të procesit e projekteve. Një proces i dhunshëm synon ndalimin, krijimin e një efekti dramatik, i cili do të ndërpresë jo një pushtet, por një zinxhir procesesh politike. Ndaj konflikti këtu është i madh. Ndërsa në Serbi ne pamë një mbështetje të Perëndimit ndaj opozitës së studentëve, tek ne nuk është Perëndimi që mbështet dhunën, përkundrazi qarqe që vijnë nga stepat apo nga qarqet më tëe gra lindore, që nga Irani, Rusia apo Turqia. Kjo e bën këtë lëvizje më komplekse dhe ku janë përfshirë aktorë e faktorë nga më të ndryshmit.
Kjo nuk është një përplasje politike, është gjeopolitike!/tema.net