Pjesëmarrja në zgjedhje në nivele rekord, izraelitët votojnë për të ardhmen politike të vendit
Dritare.net

Pjesëmarrja në zgjedhjet në Izrael ka arritur deri tani nivelin më të lartë të regjistruar ndonjëherë. Votimi po zhvillohet në një garë që konsiderohet vendimtare për të ardhmen politike të vendit, ndërsa kryeministri aktual Benjamin Netanyahu përballet me ish-shefin e ushtrisë, Gadi Eisenkot, në një garë të ngushtë për postin e kreut të qeverisë.
Sipas sondazheve të publikuara të premten, dy kandidatët janë pothuajse kokë më kokë. Megjithatë, asnjë nga dy blloqet politike nuk pritet të sigurojë 61 mandatet e nevojshme për të formuar një qeveri me shumicë parlamentare. Kjo mund të sjellë javë ose muaj negociatash për krijimin e koalicionit të ardhshëm.
Fushata është përqendruar te siguria dhe demokracia, ndërsa zgjedhjet po shihen gjerësisht si një votëbesim për qeverisjen e Netanyahu-t. Disa parti kanë ngritur pretendime për parregullsi në qendrat e votimit, por Komiteti Qendror i Zgjedhjeve në Izrael deklaron se nuk ka prova për manipulim sistematik të fletëve të votimit.
Gara mes dy blloqeve politike
Eisenkot, drejtues i partisë së sapokrijuar Yashar, është figura kryesore e të ashtuquajturit “blloku i ndryshimit”, ku bëjnë pjesë parti me bindje të ndryshme politike, por që bashkohen në synimin për t'i dhënë fund qeverisjes së Netanyahu-t.
Në këtë bllok përfshihen edhe ish-kryeministri Naftali Bennett dhe Avigdor Lieberman, të dy politikanë të djathtë me qëndrime të ashpra për sigurinë, si dhe Yair Golan, ish-gjeneral me prirje të majta.
Për Netanyahun, i cili u bë kryeministër për herë të parë në vitin 1996, rikthimi në pushtet varet nga krijimi i një tjetër aleance me partitë e së djathtës ekstreme dhe partitë ultraortodokse hebraike, që përbëjnë koalicionin e tij aktual qeverisës. Ky koalicion është konsideruar më i djathti në historinë e Izraelit.
Në garë janë edhe dy blloqe të partive arabe. Arabët përbëjnë rreth një të pestën e popullsisë së Izraelit dhe shumë prej tyre e identifikojnë veten si qytetarë palestinezë të Izraelit. Në teori, këto parti mund të luajnë rol vendimtar në formimin e qeverisë, por pothuajse të gjitha partitë kryesore hebraike kanë përjashtuar bashkëpunimin me to.
Siguria dhe sulmet e 7 tetorit, në qendër të fushatës
Çështja e sigurisë ka dominuar fushatën. Opozita e ka kritikuar Netanyahu-n për dështimin e rëndë të sigurisë që parapriu sulmet e 7 tetorit, të vitit 2023, të udhëhequra nga Hamasi. Në këto sulme u vranë rreth 1.200 persona dhe 251 të tjerë u morën peng dhe u dërguan në Gaza. Opozita ka kërkuar krijimin e një komisioni të pavarur hetimor për të zbardhur rrethanat e sulmeve. Netanyahu i ka kundërshtuar prej kohësh këto kërkesa, duke argumentuar se një komision i tillë do të ishte i njëanshëm ndaj tij.
Kritikët e tij ngrenë gjithashtu shqetësime për demokracinë, duke iu referuar gjyqit që ai po përballet për akuza korrupsioni, të cilat i mohon, si dhe planeve të debatueshme për reformimin e sistemit gjyqësor. Këto plane shkaktuan protesta masive përpara sulmeve të 7 tetorit.
Netanyahu, nga ana e tij, është paraqitur sërish si kandidati që garanton sigurinë, duke përmendur atë që i cilëson si suksese strategjike në luftërat e Izraelit në Lindjen e Mesme dhe marrëdhënien e tij të afërt me presidentin amerikan Donald Trump.
Në ditët e fundit të fushatës, ai publikoi edhe një imazh të krijuar me inteligjencë artificiale, ku paraqitej një bombë bërthamore që godiste Tel Avivin. Netanyahu paralajmëroi se vetëm ai mund ta mbrojë Izraelin nëse Irani siguron armë bërthamore. Eisenkot e cilësoi këtë qëndrim si “histerik”. Netanyahu mohoi gjithashtu raportimet e mediave sipas të cilave ai kishte kërkuar veprime të reja ushtarake kundër Iranit përpara zgjedhjeve dhe kishte tentuar të bindte Trumpin të miratonte sulme të tjera.
Shërbimi ushtarak, një tjetër çështje përçarëse
Një nga temat kryesore të fushatës është edhe shërbimi i detyrueshëm ushtarak. Qeveria e Netanyahu-t nuk ka zbatuar një vendim të Gjykatës së Lartë që kërkon rekrutimin në ushtri të burrave hebrenj ultraortodoksë që studiojnë me kohë të plotë në institucione fetare.
Çështja ka shkaktuar përçarje, pasi mijëra izraelitë të tjerë janë thirrur për të luftuar në konfliktet e viteve të fundit. Dy parti ultraortodokse, pjesë e koalicionit të Netanyahut, kanë mbështetur protestat kundër rekrutimit.
Eisenkot mban një qëndrim përgjithësisht të ngjashëm me Netanyahun për Gazën. Ai ka premtuar se do t'i japë fund sundimit të Hamasit në territor brenda 18 muajve, përmes një plani paqeje të udhëhequr nga SHBA-ja ose, nëse është e nevojshme, me mjete ushtarake.
Izraeli ka vazhduar sulmet në Gaza pothuajse çdo ditë që nga armëpushimi i arritur vitin e kaluar, duke deklaruar se objektiv janë operativët e Hamasit. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, e drejtuar nga Hamasi, më shumë se 74.000 persona janë vrarë nga ushtria izraelite që prej fillimit të luftës. Shifrat e kësaj ministrie konsiderohen të besueshme nga OKB-ja.
Veprimet e Izraelit në luftë kanë sjellë kritika gjithnjë e më të forta ndërkombëtare dhe kanë përkeqësuar marrëdhëniet me disa prej aleatëve të tij.
Për çështjen palestineze, Eisenkot mbështet në pjesën më të madhe vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar, të cilat janë të paligjshme sipas së drejtës ndërkombëtare. Megjithatë, ai kërkon masa kundër kolonëve ekstremistë hebrenj, sulmet e të cilëve janë në nivele rekord sipas të dhënave të OKB-së.
Ai ka folur gjithashtu për krijimin e kushteve për një formë autonomie ose një shtet palestinez me kompetenca të kufizuara, nën kontrollin përfundimtar të sigurisë nga Izraeli. Ndërkohë, zgjidhja me dy shtete, që parashikon krijimin e një shteti të pavarur palestinez në paqe me Izraelin, është thuajse zhdukur nga debati politik kryesor në vend.
Negociata të vështira pas zgjedhjeve
Për shkak të sistemit proporcional të përfaqësimit, qeveritë në Izrael formohen përmes koalicioneve. Kjo e bën të ndërlikuar aritmetikën parlamentare dhe lë hapësirë për aleanca të papritura.
Edhe pse është diskutuar mundësia që partitë arabe të mbështesin në mënyrë joformale një qeveri të pakicës të drejtuar nga Eisenkot, Avigdor Lieberman ka përjashtuar pjesëmarrjen në një marrëveshje të tillë.
Mbetet për t'u parë se çfarë kompromisesh dhe marrëveshjesh do të arrihen pas shpalljes së rezultateve. Një shqetësim i madh është bllokimi politik, nëse asnjë nga blloqet nuk siguron shumicën dhe nuk mund të formohet një qeveri e pakicës. Në këtë rast do të shpalleshin zgjedhje të reja, ndërsa Netanyahu do të qëndronte kryeministër në detyrë.
Izraeli ka përjetuar më parë periudha të gjata paqëndrueshmërie politike. Mes viteve 2019 dhe 2022, vendi zhvilloi pesë palë zgjedhje, pasi partitë nuk arritën të bashkëpunonin për formimin e një qeverie të qëndrueshme.
Sipas raportimeve, rreth 70.000 izraelitë janë kthyer nga jashtë vendit për të votuar, një shifër e paprecedentë, ndërsa qindra mijëra qytetarë pritet të votojnë për herë të parë.
Sondazhet në dalje të qendrave të votimit pritet të publikohen nga mediat izraelite në orën 22:00 të së martës, sipas orës lokale. Ato do të japin një tregues fillestar të prirjeve të votimit, por rezultatet mund të ndryshojnë ndjeshëm.
Edhe votat e qindra mijëra ushtarëve dhe rezervistëve izraelitë mund të ndikojnë në rezultatin përfundimtar, pasi një pjesë e tyre pritet të numërohen vetëm të mërkurën. Kjo mund t'u japë një avantazh të vonshëm partive të djathta, të cilat mendohet se gëzojnë mbështetje të konsiderueshme mes këtij grupi votuesish./dritare.net