Plagosja e Erjon Vishkullit në protestë, Prokuroria nis hetimet ndaj policisë
Dritare.net

Prokuroria e Tiranës po heton dëmtimin në sy të 28-vjeçarit Erjon Vishkulli, i cili u plagos gjatë protestës së 24 tetorit dhe aktualisht ndodhet në Itali, ku po merr trajtimin e nevojshëm mjekësor.
Në kuadër të hetimeve, po verifikohen edhe rastet e dëmtimit të personave të tjerë, pas dyshimeve për përdorim joproporcional të forcës nga punonjës të Policisë së Shtetit. Deri më tani, janë administruar rreth 20 kartela mjekësore të personave të dëmtuar.
Për rastin e Vishkullit, organi i akuzës ka kryer një sërë veprimesh hetimore, përfshirë sekuestrimin e pamjeve filmike të vëna në dispozicion nga Banka e Shqipërisë dhe marrjen e kartelës së tij mjekësore pranë Spitalit Universitar të Traumës.
Hetimet po zhvillohen në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP). Ndërkohë, autoritetet po përcaktojnë mënyrën e komunikimit me institucionet italiane, me qëllim dërgimin e një letërporosie për të vijuar veprimet hetimore lidhur me gjendjen dhe trajtimin e 28-vjeçarit.
Prokuroria bën me dije se hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të dokumentuar ligjërisht rastin e Vishkullit, si dhe dëmtimet e raportuara nga qytetarë të tjerë gjatë protestës./dritare.net