Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Rama reagon për plagosjen e të riut në protestë: Këmbanë alarmi për nxitësit e dhunës

Rama reagon për plagosjen e të riut në protestë:


Kryeministri Edi Rama ka reaguar për plagosjen e rëndë të Erjon Vishkullit, 28-vjeçarit që u dëmtua në sy gjatë protestës së 24 tetorit në Tiranë. Rama shprehet se i vjen keq për lëndimin e të riut, ndërsa bën me dije se është marrë personalisht me sigurimin e kurimit të tij në një spital në Itali dhe transportit me avion charter mjekësor. Kryeministri e cilëson plagosjen e Erjonit si një këmbanë alarmi, duke akuzuar organizatorët dhe nxitësit e dhunës për përgjegjësi.

Reagimi i Edi Ramës:

"Pjesëmarrja në protestat e dhunshme është sigurisht e rrezikshme edhe për vetë dhunuesit dhe ata që rrinë rrotull tyre, aq më tepër kur dihet tanimë edhe botërisht që në këto protesta është edhe dora e një matufi maniak me një biografi të pasur me zjarrvënie e me gjakderdhje

Më vjen shumë keq kur kushdoqoftë lëndohet fizikisht, qoftë edhe një protestues i dhunshëm, por si mund të shmanget çdo lëndim i mundshëm nëse dhuna e dikton natyrën e një proteste?!

Kjo është një pyetje retorike dhe lëndimi i djalit nga Elbasani duhet të jetë një këmbanë alarmi për të gjithë, po mbi të gjitha për nxitësit e dhunës që propagandojnë nga ekranet e korruptuara televizive dhe nga pasqyrat e tyre sociale apo më zi akoma që paguajnë për mish për top lloj-lloj individësh, nga kriminelë, te djem të paditur e deri te fëmijë të mitur

Pasi jam marrë personalisht që mbrëmë me sigurimin e kurimit të djalit në spitalin më të mirë të Italisë, si edhe të transportit me një avion charter mjekësor, u them të gjithë atyre që po e keqpërdorin si të tërbuar syrin e plagosur të tij për të nxitur më tej dhunën:

Ju jeni errësira që i mbylli atij djali dritën e syrit!

Ju jeni gishtat dhe thonjtë e dorës së malkimit që e përndjek Shqipërinë qysh në 1912-ën, duke ia mbyllur sytë sa herë ky vend sheh dritë!

Po këtë herë jeni të humbur, sepse drita e Shqipërisë është sot ku e ku më e madhe se sa errësira dhe ju jeni gjithnjë e më pak, prandaj edhe po dhunoni, digjni e shkatërroni me urrejtjen e pangushëllueshme të asaj dore, por duke ua kujtuar më mirë se kurrë shqiptarëve se kush jeni.

Dhe shqiptarët s’do t’ua falin. Prisni dhe shikoni.", shkruan Rama./K.C/dritare.net