U plagos rëndë në sy në protestë, Erjoni niset sot për kurim jashtë vendit
Dritare.net

Erjon Vishkulli, 28-vjeçari që mbeti i plagosur rëndë në sy gjatë protestës së 24 tetorit në Tiranë, pritet të niset këtë të diel drejt një spitali jashtë Shqipërisë, ku do t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje më të specializuar mjekësore. Lajmin e ka bërë të ditur aktori Bes Kallaku, mik i të riut, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale ka ndarë një përditësim mbi gjendjen e tij shëndetësore.
Kallaku tregon se ka mundur të flasë me Erjonin këtë mëngjes dhe se, pavarësisht dëmtimit të rëndë, ai është më mirë. Megjithatë, 28-vjeçari ka ende nevojë për trajtim të specializuar jashtë vendit.
“Sot në mëngjes pata mundësinë të flas me Erjonin! Lavdi Zotit është më mirë, por ka nevojë për një ndërhyrje më të specializuar jashtë shtetit. Presim që sot të niset!. Ju falënderojmë të gjithëve për mbështetjen dhe gatishmërinë që keni treguar. Zoti ju bekoftë!”, përfundon postimin aktori./K.C/dritare.net
