Rama nxjerr sërish tryezën e dialogut para Kryeministrisë, një ditë pasi protestuesit dogjën karriget
Dritare.net

Kryeministri Edi Rama ka nxjerrë sërish sot para godinës së Kryeministrisë tryezën dhe karriget për dialog me protestuesit, pavarësisht refuzimit të tyre prej disa ditësh.
Ndryshe nga ditët e mëparshme, këtë herë janë vendosur karrige të modeleve të ndryshme, krahas stolave dhe tavolinës prej guri.
Një ditë më parë protestuesit dogjën karriget e vendosura në bulevard si simbol i ftesës së kryeministrit për dialog. Në orët e pasdites, protesta u përshkallëzua në akte dhune dhe kaos në disa zona të kryeqytetit.
Protestues të maskuar u vunë zjarrin Ministrisë së Mjedisit dhe Infrastrukturës dhe Teatrit të Kukullave, ndërsa sulmuan me bomba Molotov edhe Bashkinë e Tiranës. Sulme me gurë, fishekzjarrë, bomba Molotov dhe sende të forta u raportuan gjithashtu ndaj efektivëve të Policisë, bankave dhe bizneseve private.
Pas ngjarjeve të së shtunës, kryeministri Rama paralajmëroi se personat përgjegjës për aktet e dhunës do të përballen me pasoja penale dhe financiare./dritare.net