Na ndiqni edhe në

Kuriozitete

Anthropic paralajmëron për rrezik katastrofik për njerëzimin, ndërsa përgatitet të dalë në bursë

Anthropic paralajmëron për rrezik katastrofik për


Kompania amerikane e inteligjencës artificiale Anthropic ka paralajmëruar se sistemet e avancuara të AI-së mund të përbëjnë një “rrezik katastrofik ose ekzistencial për njerëzimin”, ndërsa ka zbuluar detaje të planit për të dalë në bursën amerikane.

Kompania që zhvillon chatbot-in Claude pritet të arrijë një vlerësim rekord, që sipas raportimeve mund të tejkalojë atë të SpaceX, e cila u vlerësua rreth 1.8 trilionë dollarë në momentin e njoftimit për listimin e saj në bursë.

Anthropic nuk ka bërë ende të ditur numrin e aksioneve që do të ofrojë, intervalin e çmimit apo datën e saktë të debutimit. Ajo ka njoftuar se do të listohet në bursën Nasdaq, me simbolin ANT.

Në dokumentet e depozituara përpara daljes në bursë, kompania thekson se shqetësimet për rreziqet e inteligjencës artificiale janë ngritur nga politikëbërës, rregullatorë, studiues, por edhe nga persona brenda vetë organizatës.

Sipas Anthropic, sistemet e avancuara të inteligjencës artificiale mund të sjellin pasoja katastrofike nëse zhvillohen dhe përdoren pa masa të përshtatshme sigurie dhe mbikëqyrjeje. Rreziqet, sipas kompanisë, mund të rriten nëse këto sisteme keqpërdoren, kopjohen, shndërrohen në armë ose lejohen të veprojnë me një shkallë të lartë autonomie.

Humbje miliardëshe, por të ardhura në rritje
Në dokumentet financiare të publikuara të hënën, Anthropic raportoi humbje prej më shumë se 80.7 miliardë dollarësh për gjysmën e parë të vitit. Në të njëjtën periudhë, kompania deklaroi të ardhura prej 16.3 miliardë dollarësh dhe 112.4 miliardë dollarë në para dhe ekuivalentë të tyre.

Kompania, e themeluar pesë vite më parë nga drejtori ekzekutiv Dario Amodei, motra e tij Daniela Amodei dhe pesë bashkëthemelues të tjerë, argumenton se zhvillimi i modeleve gjithnjë e më të avancuara kërkon investime të mëdha, të cilat mund të duken të tepruara në fillim.

“Ne do të synojmë të jemi të guximshëm, por të arsyeshëm”, thuhet në dokumentet e saj, ku kompania thekson se suksesi i biznesit varet kryesisht nga aftësia për të zhvilluar modelet më të avancuara të inteligjencës artificiale.

Anthropic paralajmëron gjithashtu për rreziqe që lidhen me varësinë nga ofruesit e shërbimeve cloud, furnizuesit e çipave në Tajvan dhe përqendrimin e qendrave të të dhënave në SHBA. Kompania përmend edhe pasigurinë ligjore dhe mundësinë e masave rregullatore për dëmet që mund të shkaktojnë modelet e saj, përfshirë çështjet që lidhen me vetëvrasjen dhe sigurinë e fëmijëve.

Edhe OpenAI përgatitet për bursën
Anthropic pritet të jetë një nga rastet më të rëndësishme për të testuar interesin e investitorëve ndaj kompanive të inteligjencës artificiale. Konkurrentja e saj kryesore, OpenAI, ka shprehur gjithashtu synimin për të dalë në bursë, me debutimin që sipas raportimit të BBC-së pritet në fillim të vitit të ardhshëm.

Planet për listimin vijnë në një kohë kur kompanitë e teknologjisë po investojnë shuma gjigante në infrastrukturën e inteligjencës artificiale, nga qendrat e të dhënave te modelet e avancuara.

Ekspertët e tregjeve financiare vlerësojnë se dokumentet e Anthropic do t’u japin investitorëve një pamje më të qartë të burimeve të rritjes së të ardhurave dhe të qëndrueshmërisë së biznesit. Debutimi në bursë do të shërbejë gjithashtu si një tregues i rëndësishëm i gatishmërisë së tregut për të financuar zhvillimin e mëtejshëm të inteligjencës artificiale.

Ndërkohë, kompania përballet edhe me një çështje ligjore: zotëruesit e të drejtave mbi muzikën e Elvis Presley-t e kanë paditur, duke e akuzuar se ka përdorur qindra këngë të artistit për të trajnuar chatbot-in Claude./dritare.net