Gjykata e Lartë i hap rrugë shqyrtimit të kallëzimit të Veliajt për Nesti Angonin
Dritare.net

Gjykata e Lartë i ka dhënë të drejtë kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, në betejën ligjore për kallëzimin e personit të njohur si “Nesti Angoni”. Kolegji Penal ka zgjidhur mosmarrëveshjen e kompetencës mes GJKKO-së dhe Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, duke vendosur që kjo e fundit të shqyrtojë ankimin e Veliajt.
Kryebashkiaku kërkon shfuqizimin e vendimit të datës 8 maj 2026, me të cilin është vendosur mosfillimi i procedimit penal. Ai kërkon gjithashtu që gjykata të urdhërojë regjistrimin e procedimit dhe kryerjen e veprimeve hetimore.
Kallëzimi i Veliajt lidhet me dokumentin e firmosur nga personi i identifikuar si “Nesti Angoni”, mbi bazën e të cilit nisi procedimi penal ndaj kryebashkiakut të Tiranës.
Sipas verifikimeve zyrtare të përmendura në kallëzim, personi në fjalë nuk rezulton të ekzistojë në regjistrat e gjendjes civile.
Me vendimin e Gjykatës së Lartë, çështja do të shqyrtohet nga Gjykata e Tiranës, e cila do të vendosë për ankimin e Veliajt dhe nëse duhet të vijojnë veprimet për hetimin e kallëzimit. Vendimi nuk përbën ende një urdhër për nisjen e hetimeve, por i hap rrugë shqyrtimit gjyqësor të kërkesës së kryebashkiakut./dritare.net