Na ndiqni edhe në

Dekalog nga Roland Qafoku

Takova Iris Luarasin pas protestës! Ja çfarë biseduam! Flet Jorida Tabaku

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka komentuar në emisionin “Dekalog” të Roland Qafokut në DritareTV incidentin me deputeten Iris Luarasi, e cila dy ditë më parë, teksa po shkonte drejt Parlamentit, u përball me një grup protestuesish.

Tabaku u shpreh se asnjë politikan nuk duhet të ndihet i kërcënuar apo i intimiduar dhe se siguria e askujt nuk duhet të cenohet. Ajo theksoi se, edhe pse reagimet ndaj politikanëve mund të jenë të forta, ka raste kur situata të tilla duhet të shmangen.

“Askush nga ne si politikan nuk do që të ndihet as i kërcënuar, as i intimiduar, as që t’i cenohet siguria dhe jeta. Për mua, disa nga komentet që mund t’u bëhen politikanëve mund të jenë të tepruara”, tha Tabaku.

Deputetja demokrate tregoi gjithashtu se e kishte takuar Iris Luarasin një ditë pas incidentit dhe kishte biseduar me të pikërisht për atë që kishte ndodhur. Tabaku tha se nuk do të kishte dashur të gjendej në të njëjtën situatë dhe se për të nuk do të kishte qenë aspak komode.

“E kam takuar dje. Dhe pikërisht këtë i thashë: unë nuk do të kisha dashur të isha në pozitën tuaj. Për mua nuk do të kishte qenë komode”, u shpreh Tabaku.

Sipas saj, episode të tilla duhet të shmangen, pasi rrezikojnë të largojnë vëmendjen nga qëllimi i protestës. Tabaku tha se objektivi politik i protestës duhet të jetë kryeministri Edi Rama dhe jo incidente me deputetë të veçantë.

“Objektivi këtu është Edi Rama. Në disa raste, për mua, këto duhet që të evitohen. E dini pse mendoj që duhet të evitohen? Sepse pastaj vëmendja shkon te këto akte”, tha ajo.

Tabaku argumentoi se opozita dhe protestuesit duhet të përqendrohen te rritja e pjesëmarrjes dhe te përdorimi i fjalës dhe argumentit politik. “Ne duhet të fokusohemi se si ta rrisim protestën, duke thirrur sa më shumë njerëz në protestë, duke përdorur forcën e fjalës dhe argumentin”, u shpreh Jorida Tabaku në “Dekalog” në DritareTV.