Na ndiqni edhe në

Kosova dhe Rajoni

Smith: Çështja s’ka të bëjë me legjitimitetin e UÇK-së, por vetëm me të akuzuarit


Hagë – Kryetari i trupit gjykues në Dhomat e Specializuara të Kosovës, Charles Smith III, deklaroi në fjalën hyrëse para shpalljes së aktgjykimit se procesi gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit nuk lidhet me legjitimitetin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sipas Smithit, çështja ka të bëjë vetëm me veprimet e të akuzuarve dhe me faktin nëse krimet e pretenduara në aktakuzë janë kryer dhe nëse ata mund të mbahen përgjegjës për to.

“Kjo çështje nuk ka të bëjë me legjitimitetin e UÇK-së dhe synimin e saj për një Kosovë të pavarur”, tha Smith, duke shtuar se procesi nuk ka të bëjë as me vlerësimin e veprimeve të palëve gjatë luftës apo me krimet e kryera nga forcat dhe paramilitarët serbë ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Smith foli edhe për sfidat gjatë procesit gjyqësor, duke thënë se dëshmitarët u përballën me një atmosferë frikësuese. Sipas tij, disa prej tyre ndryshuan dëshmitë ose dhanë dëshmi të rreme, ndërsa të tjerë vepruan nga besnikëria.

Gjatë gjykimit, sipas kryetarit të trupit gjykues, janë administruar dëshmi me shkrim dhe me gojë të 273 dëshmitarëve, janë pranuar 5,467 prova materiale, ndërsa transkriptet e procesit kanë kaluar në mbi 28 mijë faqe.

Seanca në Hagë vijon me leximin e përmbledhjes së aktgjykimit ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.

Ndiqeni live këtu: