Na ndiqni edhe në

Shqip

Ambasadori Roland Bimo: Ja si po e ndihmon, Rusia-Iranin!

Ambasadori Roland Bimo: Ja si po e ndihmon, Rusia-Iranin!

I ftuar në emisionin Shqip në DritareTV, ish-ambasadori Roland Bimo komentoi zhvillimet e fundit gjeopolitike dhe pasojat e mundshme ekonomike globale të konfliktit në Lindjen e Mesme.

Gjatë bisedës me gazetarin Dritan Hila, Bimo deklaroi se ka raportime për furnizimin e Iranit me sisteme të avancuara të mbrojtjes ajrore nga Rusia.

“Nga disa burime indiane bëhet fjalë që kanë zbarkuar në Teheran rreth 17 avionë Antonov nga Rusia, të cilët kanë shkarkuar katër apo pesë sisteme S-400 të mbrojtjes kundërajrore”, u shpreh ai, duke shtuar se kjo mund të ketë ndikuar në dështimin e një sulmi ajror, megjithëse, sipas tij, “kjo mbetet për t’u verifikuar”.

Bimo paralajmëroi gjithashtu për pasoja të rënda ekonomike globale si rezultat i konfliktit. “Janë rreth 50 produkte jashtëzakonisht të rëndësishme për ekonominë botërore që kalojnë përmes këtyre rrugëve dhe tashmë është pothuajse e sigurt që ekonomia botërore mund të shkojë në recesion”, tha ai.

Sipas tij, ndikimi mund të ndihet shpejt edhe në Evropë. “Në disa vende evropiane, nëse situata vazhdon kështu, mund të fillojë racionimi i energjisë elektrike. Në jug të Italisë ka filluar racionimi i karburantit”, theksoi Bimo.

Ai shtoi se nga kjo krizë po përfitojnë Rusia dhe Irani, për shkak të rritjes së çmimeve të naftës. “Gjatë këtij muaji iranianët kanë fituar rreth 16 miliardë dollarë, pasi çmimi i naftës është rritur ndjeshëm”, deklaroi ai.

Në analizën e tij, Bimo u ndal edhe te balancat globale, duke theksuar rritjen e ndikimit të Kinës. “Kam frikë se kjo Kinë është një fuqi e pandalshme, qoftë në teknologji, qoftë në ekonomi”, u shpreh ai, duke paralajmëruar ndryshime të mundshme në ekuilibrat globalë nëse kriza vazhdon./K.C/dritare.net