SHBA në zgjedhje, demokratët synojnë t’i marrin Trumpit kontrollin e Kongresit
Dritare.net

CNN
Miliona amerikanë votojnë në zgjedhjet afatmesme për të përcaktuar se cila parti do të kontrollojë Kongresin amerikan gjatë dy viteve të fundit të presidencës së Donald Trump.
Në këto zgjedhje votohen të 435 vendet në Dhomën e Përfaqësuesve, 35 nga 100 vendet në Senat, si dhe disa poste në nivel shtetëror, përfshirë guvernatorët.
Partia Republikane e Donald Trump kontrollon të dyja dhomat e Kongresit, ndërsa demokratët synojnë të fitojnë shumicën në të dyja.
Nëse demokratët marrin kontrollin e Kongresit, ata do të kenë më shumë mundësi të pengojnë planet e presidentit Trump dhe të nisin hetime ndaj tij dhe administratës së tij. Gjithashtu, mund të shqyrtohet edhe mundësia e nisjes së procedurave për shkarkimin e presidentit.
Qendrat e para të votimit u hapën në Vermont në orën 05:00 sipas kohës lindore amerikane. Rezultatet e para priten të publikohen gjatë mbrëmjes./L.F-dritare.net