SHBA godet Iranin, Teherani kundërpërgjigjet! Përshkallëzohet konflikti në Hormuz
Dritare.net

SHBA dhe Irani shkëmbejnë sulme, tensionet rriten në ngushticën e Hormuzit
Shtetet e Bashkuara dhe Irani kanë shkëmbyer sulme, në një përshkallëzim të ri të tensioneve në Lindjen e Mesme. Forcat amerikane goditën dy raketahedhës në ishullin Larak, në ngushticën e Hormuzit.
Sipas Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), sulmi amerikan vrau dy persona dhe plagosi dy të tjerë. Garda Revolucionare deklaroi se do të ketë “përgjigje dhe ndëshkim”.
Komanda Qendrore e SHBA-së, CENTCOM) tha se kishte ndërmarrë “veprim të kufizuar dhe të saktë” ndaj forcave që po vendosnin mina dhe që përbënin një kërcënim të menjëhershëm në ngushticën e Hormuzit.
Në kundërpërgjigje, Irani deklaroi se kishte goditur baza ushtarake amerikane në Jordani. Ushtria jordaneze njoftoi se kishte interceptuar tetë raketa në orët e para të mëngjesit të së hënës.
Ndërkohë, televizioni shtetëror iranian raportoi se ushtria iraniane kishte sulmuar me dronë një bazë ajrore në Emiratet e Bashkuara Arabe. Ministria e Mbrojtjes e Emirateve i cilësoi këto raportime si “të pabaza”, por konfirmoi se kishte rrëzuar një dron.
Sulmi amerikan ndaj Iranit është i pari i njohur që prej fundit të korrikut, kur Presidenti Donald Trump pezulloi një fushatë të re ushtarake kundër Teheranit.
Përshkallëzimi i fundit rikthen në qendër të vëmendjes ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme të transportit të naftës në botë./drirare.net