Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Ergys Agasi dërgohet në paraburgimin e Bradasheshit

Biznesmeni Ergys Agasi është transferuar në paraburgimin e Bradasheshit në Elbasan, pasi Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) la në fuqi masën “arrest në burg” ndaj tij.

Sipas burimeve, Agasi është transferuar nga ambientet e Bllokut të Sigurisë në Tiranë drejt qelisë së paraburgimit në Bradashesh, ku do të qëndrojë në vijim të hetimeve të dosjes së AKSHI-t.

Ndaj biznesmenit ishte caktuar që prej dhjetorit të kaluar masa “arrest në burg”, në mungesë. Agasi dyshohet nga SPAK se ka pasur rol drejtues në një grup kriminal që, përmes konkurrencës së pandershme, presioneve dhe ndikimit, synonte të paracaktonte tenderat e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).

Në kuadër të hetimeve, Ergys Agasi akuzohet për të paktën 7 vepra të rënda penale.

Biznesmeni u arrestua mbrëmjen e së mërkurës në zonën e Plepave në Durrës, pas një operacioni të policisë dhe një periudhe disa-javore vëzhgimi nga SPAK. Sipas burimeve, në momentin e arrestimit ai udhëtonte në një automjet ku ndodhej edhe ish-zyrtari i lartë i Policisë së Elbasanit, Ulian Shpataraku, i cili ishte shoferi.

Pas arrestimit dhe vendimit të GJKKO-së për të lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg”, Agasi është dërguar në paraburgimin e Bradasheshit, ku do të qëndrojë gjatë vijimit të procedurave gjyqësore dhe hetimeve për dosjen AKSHI.

Agasi i ka mohuar akuzat gjatë seancës, duke deklaruar se nuk ka përfituar nga tenderat dhe se nuk ka qenë pjesë e grupeve kriminale./K.C/dritare.net