Islanda voton kundër rinisjes së negociatave për anëtarësim në BE
Dritare.net

Islanda ka votuar kundër rinisjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, 13 vjet pasi bisedimet u ndërprenë. Sipas transmetuesit publik islandez RUV, 52.8% e votuesve votuan kundër propozimit të qeverisë, ndërsa 47.2% votuan pro. Diferenca ishte rreth 12,600 vota.
Referendumi u zhvillua me nismën e qeverisë së qendrës së majtë të kryeministres Kristrún Frostadóttir, e cila fillimisht kishte premtuar një referendum deri në vitin 2027, por vendosi ta zhvillojë më herët për shkak të tensioneve ndërkombëtare, përfshirë kërcënimet e presidentit amerikan Donald Trump ndaj Groenlandës.
Megjithatë, në Islandë debati u përqendrua kryesisht tek industria e peshkimit. Peshku dhe industria detare përbëjnë rreth 40% të eksporteve të vendit dhe kundërshtarët e anëtarësimit druhen se anëtarësimi në BE do t'i detyronte të dorëzonin një pjesë të kontrollit mbi zonat e pasura të peshkimit, përmes politikës së përbashkët të peshkimit të BE-së.
Pyetja në referendum ishte: “A duhet Islanda të rifillojë negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian?”
Një votë “pro” nuk do të nënkuptonte anëtarësim të menjëhershëm, por vetëm rikthimin në tryezën e negociatave. Marrëveshja përfundimtare do të kërkonte një referendum të dytë.
Islanda aplikoi për anëtarësim në BE në vitin 2009, pas krizës së rëndë financiare dhe kolapsit të sistemit bankar. Negociatat ishin avancuar ndjeshëm, por u pezulluan në vitin 2013 pasi në pushtet erdhi një qeveri euroskeptike. Çështja e peshkimit ishte edhe atëherë pengesa kryesore.
Islanda është tashmë pjesë e tregut të përbashkët evropian dhe zonës Schengen, ndërsa anëtarësimi në BE do ta përfshinte vendin edhe në unionin doganor dhe, në të ardhmen, në zonën euro.
Në referendum ndikuan edhe shqetësimet për sigurinë. Islanda është anëtare themeluese e NATO-s, por nuk ka ushtri dhe mbështetet tek aleatët për mbrojtjen e saj. Vendi ka mbështetur Ukrainën pas pushtimit rus, ndërsa zyrtarët islandezë kanë shprehur shqetësim për aktivitetet detare të Rusisë pranë ishullit dhe për deklaratat e Trump për Groenlandën./dritare.net