97-vjeçarja shpëtohet pas disa orësh nën rrënoja në Nepal
Dritare.net

Një 97-vjeçare është nxjerrë e gjallë nga rrënojat e një qendre kujdesi në Nepal, pasi kishte mbetur e bllokuar për rreth katër orë pas përmbytjeve shkatërruese që kanë goditur vendin.
Guna Maya Bohara po trajtohet në spital dhe, sipas mjekëve, ndodhet në gjendje rikuperimi.
Operacioni i shpëtimit ishte i vështirë. E moshuara ndodhej nën rrënojat e godinës së qendrës së kujdesit dhe ekipet e shpëtimit punuan për rreth katër orë për ta nxjerrë prej andej, duke përdorur edhe mjete të rënda. (BBC)
Stërnipi i saj, Dipak Bohara, kishte udhëtuar nga Katmandu për të ndihmuar në operacionin e shpëtimit. Pas nxjerrjes së saj nga rrënojat, ai i tha BBC Nepali se Guna Maya dukej “si një luftëtare që ishte kthyer fitimtare nga beteja”. (BBC)
Shpëtimi i 97-vjeçares është cilësuar si një nga momentet e rralla të shpresës në një katastrofë që ka shkaktuar qindra viktima në Nepal dhe në zonat përreth Tibetit.
Përmbytjet e menjëhershme kanë shkatërruar rrugë, ura dhe linja energjie, duke vështirësuar ndjeshëm operacionet e kërkim-shpëtimit. Shkencëtarët dyshojnë se katastrofa është shkaktuar nga shembja e një akullnaje në rajonin kufitar të Himalajeve me Tibetin, duke sjellë një masë të madhe uji, akulli, shkëmbinjsh dhe mbetjesh drejt zonave të banuara.
Më shumë se 3,700 persona janë shpëtuar deri tani në Nepal, ndërsa mijëra efektivë të forcave të sigurisë janë angazhuar në operacionet e kërkim-shpëtimit. Megjithatë, kushtet e vështira në terren kanë penguar punën e ekipeve, ndërsa disa zona mund të arrihen vetëm me helikopter.
Në këtë situatë të rëndë, historia e Guna Maya Bohara është kthyer në një simbol të mbijetesës dhe shpresës: në moshën 97-vjeçare, ajo arriti të mbijetojë nën rrënoja dhe të nxirret e gjallë pas një operacioni të gjatë shpëtimi./dritare.net