Shkarkimi i Ristanit/ Berisha: Sulm i hapur i Veliajt ndaj Ramës!
Dritare.net

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar vendimin e Erion Veliajt për t’i hequr Anuela Ristanit kompetencat për delegimin në Bashkinë e Tiranës. Berisha e interpreton këtë lëvizje si nisjen e një përplasjeje të hapur mes kryebashkiakut dhe kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar momentin e zgjedhur si dëshmi të dobësisë së Ramës.
“Akti i djeshëm i Erion Veliajt dëshmon përfundimisht se Edi Rama po bëhet një kalë i ngordhur që dalin tani t’ia heqin dhe patkonjtë, e kupton vetë. Në qoftë se qytetarët e kanë konstatuar, e kanë ndjekur, ai është një person në rrethim, që për të mbrojtur shkon nga një vilë qeveritare në një vilë tjetër qeveritare. Dhe që njofton ndryshime po s’bën dot asnjë ndryshim. S’bën dot asnjë ndryshim. Në këtë kuadër është fillimi i hapur i sulmit të Erion Veliajt ndaj tij. Nuk mohohet se Gjykata Kushtetuese vlerësoi si antikushtetues procedurën e shkarkimit nga Edi Rama nëpërmjet këshilltarëve bashkiakë socialistë të tij. Por momenti që u zgjodh nga Erion Veliaj për t’i hedhur dorezën dhe për ta sfiduar në mënyrë përfundimtare është dëshmi e dobësisë ekstreme të Edi Ramës. Dhe pra, gjithçka veprohet në një betejë midis tyre”, tha Berisha./K.C/dritare.net