Xhufi për dënimin e krerëve të UÇK-së: Proces i stisur, jashtë çdo norme ligjore
Dritare.net

Historiani Pëllumb Xhufi ka reaguar ashpër ndaj procesit gjyqësor dhe dënimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. I ftuar në Shqip nga Dritan Hila në DritareTV, Xhufi tha se mënyra se si është zhvilluar procesi ngre pikëpyetje të mëdha, ndërsa e cilësoi atë si një proces të stisur.
“Sigurisht, kjo është thënë që në krye të herës, që procesi i ngritur ndaj katër komandantëve të UÇK-së është një proces i stisur që zhvillohet jashtë çdo norme ligjore. Mbajtja e gjashtë viteve për të formuluar aktakuzën dhe për të bërë pastaj procesin gjyqësor, të gjitha janë gjëra që të lënë një dyshim të madh”, u shpreh Xhufi.
Sipas tij, një nga problemet kryesore është se në gjykimin e ish-drejtuesve të UÇK-së nuk merret sa duhet në konsideratë konteksti në të cilin ndodhi lufta. Xhufi argumentoi se përballë njëra-tjetrës ishin UÇK-ja dhe forcat serbe, ndërsa ndërhyrja e NATO-s erdhi pikërisht për shkak të përshkallëzimit të konfliktit dhe dhunës në Kosovë.
“Pranohet që ka pasur një Ushtri Çlirimtare të Kosovës me komandë dhe pastaj nuk pranohen efektet e një lufte të vërtetë”, tha historiani. Ai e përshkroi UÇK-në si një forcë të përbërë nga shqiptarë që, sipas tij, “ju kishte ardhur thika në asht” dhe që u ngritën kundër represionit serb.
Xhufi solli edhe shembuj të veprimeve ndaj personave të dyshuar si informatorë gjatë një konflikti, duke argumentuar se ngjarje të tilla duhet të analizohen brenda rrethanave konkrete të luftës. Nga kjo pikëpamje, ai e cilësoi procesin aktual “një nonsens” dhe “diçka të trishtueshme” për shqiptarët që, sipas tij, njohin vlerën e luftës së UÇK-së dhe të drejtuesve të saj.
Historiani u ndal edhe te pasojat që vendimi mund të ketë për imazhin ndërkombëtar të Kosovës. Sipas tij, edhe pse gjykata e ka ndarë përgjegjësinë individuale nga UÇK-ja si organizatë, vendimi po përdoret nga zëra të ndryshëm për të sulmuar vetë luftën e Kosovës.
Xhufi kritikoi gjithashtu kryeministrin aktual të Kosovës, duke pretenduar se prej vitesh ka mbajtur një qëndrim të pashpjegueshëm ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së. “Unë e dua UÇK-në, po s’dua udhëheqësit e UÇK-së. Domethënë ky ka qenë mesazhi që ka lëshuar”, tha ai, duke dhënë interpretimin e tij për qëndrimin politik të Albin Kurtit./dritare.net