Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Ëndrra amerikane u kthye në tragjedi, 3 djemtë e familjes lushnjare vdesin në zjarr

Do të ishte mëngjesi i 26 gushtit dita kur jeta e familjes së Gentian Manatit do të ndryshonte përgjithmonë. 3 djemtë e mitur të familjes do të largoheshin nga kjo botë për t’u bashkuar me ëngjëjt në qiej.


Zjarri që përfshiu banesën e tyre në Jacksonville në Florida të SHBA, shkrumboi gjithçka dhe la pas vetëm dhimbje dhe trishtim.


Flakëve mundën t’iu shpëtonin Gentiani me bashkëshorten dhe një prej fëmijëve të tyre. Ata po luftojnë për jetën në një nga spitalet e vendit të largët.
Gentiani dhe bashkëshortja e tij Ishin larguar me ëndrra të mëdha nga lagjja 18 tetori nga qyteti i vogël i Lushnjës në vitin 2002 për të prekur tokën e premtuar përmes lotarisë amerikane.


Atje do të nisnin gjithçka nga e para, duke krijuar dhe familjen e tyre që tashmë nuk është më e plotë. Më pas në SHBA do të mbërrinin edhe prindërit e Gentianit, të cilët jetonin në të njëjtin qytet, por në një tjetër banesë në Jacksonville.

Mediat e huaja kanë publikuar momentet e para të tragjedisë, ku të dëshpëruar dhe në lot shfaqen gjyshërit e fëmijëve që humbën jetën, Njazi dhe Alia.

Dy motrat e Gentianit që jetojnë në Lushnjë kanë arritur të sigurojnë vizat dhe të udhëtojnë përtej atlantikut mëngjesin e sotëm për të qenë pranë vëllait të tyre në këto momente zie.

Të prekur nga kjo fatkeqësi, fqinj të familjes Manati në Lushnjë shprehen të tronditur për Report TV.

“Nuk ka fatkeqësi më të madhe në jetë, të rritësh tre fëmijë me sakrificë”, thotë një fqinje.
Një tjetër i afërm rrëfen momentin kur mori lajmin e hidhur dhe ndan detaje se si çifti i ri ishte zhvendosur nga Shqipëria për të ndjekur ëndrrën amerikane.

“U tronditëm kur e morëm vesh”, tha një tjetër.
Për shpenzimet e funeralit dhe shërbimet mjekësore që po marrin 3 të lënduarit janë kujdesur vetë shqiptarët, të cilët kanë kontribuar me mbi 200 mijë dollarë përmes një gofound me, të hapur nga një kushërirë e familjes Manati.Trupat e tret ë miturve do të prehen në SHBA, aty ku edhe kishin lindur.