Përmbytje katastrofike në kufirin Nepal-Tibet, mbi 1 mijë të zhdukur dhe qindra viktima
Dritare.net

Një katastrofë e përmasave të mëdha ka goditur zonat kufitare mes Nepalit dhe Tibetit, pasi një shembje akullnajore shkaktoi një vërshim të fuqishëm uji, balte dhe shkëmbinjsh, duke shkatërruar banesa, rrugë, ura dhe pika kufitare.
Ekipet e shpëtimit vijojnë kërkimet për të mbijetuarit, ndërsa bilanci i viktimave dhe të zhdukurve është rritur ndjeshëm. Në Nepal, autoritetet kanë raportuar se deri tani janë gjetur mbi 350 trupa, ndërsa qindra persona vijojnë të jenë të zhdukur. Në anën tibetiane, autoritetet kineze raportojnë 558 persona të zhdukur dhe tre viktima. Nuk është ende e qartë nëse shifrat e raportuara nga të dyja palët mbivendosen.
Mes të zhdukurve janë edhe qindra shtetas të huaj. Sipas të dhënave të fundit, në Nepal rezultojnë të zhdukur 177 shtetas indianë, 63 amerikanë, 34 australianë, 33 britanikë dhe 25 kanadezë. Në Tibet, rreth 260 nga 558 personat e raportuar të zhdukur janë shtetas të huaj.
Shumë prej tyre ndodheshin në këtë zonë për turizëm, trekking apo pelegrinazhe drejt vendeve të shenjta të Tibetit.
Një prej historive më prekëse është ajo e dy motrave në SHBA, të cilat presin me ankth lajme për prindërit e tyre. Çifti kishte udhëtuar nga Teksasi drejt Tibetit për një pelegrinazh.
“Ne thjesht i duam shumë dhe duam që të kthehen në shtëpi”, kanë deklaruar ato për BBC, teksa presin ende informacion për fatin e prindërve të tyre.
Pamjet nga zona tregojnë fuqinë shkatërruese të ujërave dhe masave të baltës që përfshinë vendbanime të tëra. Ura dhe dhjetëra kilometra rrugë janë shkatërruar, ndërsa banesa, automjete dhe objekte të tjera janë marrë përpara nga rrjedha.
Në Nepal, ushtria dhe ekipet e emergjencës kanë angazhuar helikopterë, dronë dhe qen kërkimi për të lokalizuar personat e zhdukur dhe për të dërguar ushqime, ilaçe dhe tenda në zonat e izoluara. Operacionet janë vështirësuar nga rrugët e dëmtuara dhe terreni malor.
Sipas Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara (USGS), përmbytjet nuk u shkaktuan nga një tërmet, siç u dyshua fillimisht. Shkaku ishte një shembje masive e akullit dhe shkëmbinjve nga një akullnajë, e cila shkaktoi një rrjedhë të fuqishme mbeturinash dhe uji në drejtim të luginave.
Ekspertët dhe autoritetet kanë paralajmëruar ndërkohë për rrezikun e përmbytjeve të tjera. Masat e baltës dhe mbeturinat kanë bllokuar disa rrjedha ujore, duke krijuar zona të rrezikshme që mund të çlirojnë papritur sasi të mëdha uji.
Operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë në të dyja anët e kufirit, ndërsa familjet e qindra personave të zhdukur presin ende lajme për të afërmit e tyre./K.C/dritare.net