
Nga Gjergj Zefi
Vdekja e Dolly Parton tregoi atë që Amerika e sotme e sheh gjithnjë e më rrallë: njerëz që nuk bien dakord pothuajse për asgjë, u bashkuan për të njëjtën divë.
E donin konservatorët e Jugut dhe liberalët e qyteteve të mëdha, besimtarët dhe komuniteti LGBTQ, republikanët dhe demokratët. Jo sepse Dolly Parton nuk kishte bindje. Përkundrazi. Ajo kishte besimin, rrënjët dhe botën e saj, por nuk i përdori për të ngritur një mur mes vetes dhe pjesës tjetër të Amerikës.
Këtu krahasimi me ne bëhet i dhimbshëm.
Në Shqipëri kemi një zakon të keq: përpara se të vlerësojmë një figurë publike, duam të dimë “me kë është”. Një artist, një sportist, një shkrimtar, një gazetar apo një intelektual herët a vonë duhet të kalojë nëpër skanerin tonë politik. Me kë rri? Kujt i shkon në aktivitet? Në cilin televizion del? Me kë ka bërë fotografi?
Pyetja “çfarë ka bërë?” shpesh vjen pasi kemi marrë përgjigjen për pyetjen “i kujt është?”.
Kështu kemi konsumuar shumë figura që mund të ishin të përbashkëta. Politika jonë nuk kënaqet me votën e qytetarit; do edhe artistin, këngëtarin, profesorin, sportistin. Do që secili të marrë një flamur dhe të futet në rresht. Pastaj gjysma e vendit e duartroket dhe gjysma tjetër e përbuz.
Në fund kemi plot njerëz të famshëm, por shumë pak njerëz që janë të të gjithëve.
Dolly Parton kishte kuptuar një të vërtetë të thjeshtë: mikrofoni nuk të detyron të bëhesh megafon. Mund të kesh bindje pa u kthyer në ushtar të një kampi. Mund të flasësh për atë që beson pa e trajtuar tjetrin si armik. Mund të jesh thellësisht fetar dhe të respektosh dikë që jeton ndryshe prej teje. Mund të duash vendin tënd pa vendosur gardhe rreth tij.
Kjo është pikërisht ajo që na mungon.
Shqipëria nuk ka nevojë për njerëz që mendojnë njësoj. Një shoqëri e lirë jeton edhe nga përplasja e ideve. Ka nevojë, ama, për disa njerëz që të qëndrojnë mbi atë përplasje. Për një këngë që këndohet njësoj në makinën e socialistit dhe të demokratit. Për një sportist që na ngre të gjithëve në këmbë. Për një artist që nuk pyetet pas çdo suksesi se kë mbështet politikisht. Për një emër që të mos futet me zor në kutinë e votimit.
Sepse një vend nuk mbahet bashkë vetëm nga flamuri, himni dhe Kushtetuta. Mbahet edhe nga kujtimet që ndan, nga njerëzit që admiron, nga ato pak gjëra për të cilat nuk ka nevojë të ndahet në dysh.
Ne, ndërkohë, i kemi ngritur gardhet aq lart sa ndonjëherë harrojmë se kemi një oborr të përbashkët.
Ndoshta një Dolly Parton shqiptare e kemi pasur. Ndoshta e kemi edhe sot. Problemi mund të mos jetë se Shqipëria nuk lind figura që bashkojnë, por se ne jemi bërë mjeshtra për t'i ndarë. U kërkojmë të zgjedhin anë, ua numërojmë miqtë, ua kontrollojmë fotografitë dhe, në fund, i zvogëlojmë derisa i veshim fanellën e një kampi.
Duhet të mësojmë t'i lëmë disa njerëz pa uniformë.
Të jenë tanët pikërisht sepse nuk janë të askujt.
Amerika, me vdekjen e Dolly Parton, u kujtua për një çast se mund të nderonte të njëjtin njeri pa pyetur se për kë kishte votuar.
Edhe ne kemi nevojë për dikë që; përmes një kënge, një ndeshjeje, një libri a një kujtimi, të na bëjë të harrojmë se në cilën anë të gardhit qëndrojmë.
Sa na duhet edhe ne një Dolly Parton./dritare.net