Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Riatdhesohen nga Siria 5 shtetas shqiptarë, mes tyre dy gra dhe tre fëmijë

Pesë shtetas shqiptarë, mes tyre dy gra dhe tre fëmijë, janë riatdhesuar nga Siria dhe kanë mbërritur në Tiranë pak pas mesnatës së 26 gushtit.

Operacioni për kthimin e tyre në Shqipëri u përmbyll pas një procesi të gjatë koordinimi mes institucioneve shqiptare, përfaqësive diplomatike dhe konsullore shqiptare, si dhe autoriteteve të vendeve të përfshira.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme njoftoi se bëhet fjalë për një riatdhesim vullnetar, ndërsa theksoi se kthimi i shtetasve nga zonat e prekura nga konflikti është pjesë e përgjegjësisë së shtetit për mbrojtjen e qytetarëve të tij.

Pas mbërritjes në Shqipëri, pesë të riatdhesuarit do t’i nënshtrohen kontrolleve shëndetësore dhe vlerësimeve psikosociale. Në vijim do të nisë procesi i akomodimit, rehabilitimit dhe riintegrimit të tyre në shoqëri.

“Riatdhesimi i shtetasve shqiptarë nga zona të prekura nga konflikti është shprehje e përgjegjësisë së shtetit për mbrojtjen e qytetarëve të vet, edhe në rrethana të vështira dhe komplekse”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme.

Institucionet përgjegjëse do të vijojnë të ofrojnë asistencën e nevojshme për pesë shtetasit, ndërsa do të koordinojnë edhe hapat e mëtejshëm për integrimin e tyre./K.C/dritare.net