Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

SHBA shtrëngon lakun ndaj Iranit, Teherani sfidon Trump: Jemi gati për luftë ekonomike

Irani ka deklaruar se është i bindur se mund t’u kundërpërgjigjet sanksioneve të zgjeruara amerikane, pasi Uashingtoni njoftoi një paketë të re masash që synojnë izolimin e Teheranit nga ekonomia globale.

Ministri iranian i Ekonomisë, Ali Madanizadeh, tha se vendi është “plotësisht i përgatitur” për përballimin e sanksioneve, të cilat sipas tij do të çojnë në “një tjetër humbje” për Shtetet e Bashkuara.

Duke njoftuar masat e reja, Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, paralajmëroi se çdo shtet që bashkëpunon financiarisht me Iranin rrezikon të izolohet. Sipas tij, bankat dhe kompanitë që vazhdojnë të bëjnë biznes me Teheranin do të përballen me të njëjtin izolim nëse nuk ndërpresin marrëdhëniet.

Bessent i cilësoi masat si “ofensiva më e madhe financiare” e ndërmarrë ndonjëherë kundër Iranit, duke thënë se ato synojnë të “shtrëngojnë lakun” dhe të bllokojnë çdo burim të mundshëm të të ardhurave për Teheranin.

Masat e reja vijnë pas ndryshimeve të qëndrimit dhe shtyrjeve të afateve nga Shtëpia e Bardhë, në kuadër të përpjekjeve amerikane për t’i dhënë fund konfliktit.

Partnerët kryesorë tregtarë të Iranit përfshijnë Kinën, Turqinë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Abu Dhabi njoftoi javën e kaluar se po pezullonte të gjitha transaksionet tregtare dhe financiare me Teheranin.

Megjithatë, vetëm disa orë pas njoftimit amerikan, ministri iranian i Ekonomisë shprehu bindjen se partnerët tregtarë të vendit do të vazhdojnë bashkëpunimin.

Madanizadeh tha se as Kina dhe as Rusia nuk i kanë pranuar masat amerikane dhe parashikoi se edhe shtete të tjera do t’i kundërshtojnë ato.

“Qeveria është dhe ka qenë e përgatitur dhe ka një plan dyvjeçar për të menaxhuar këto zhvillime”, deklaroi ai për televizionin shtetëror iranian, duke shtuar se Teherani “i ka pritur prej kohësh këto plane”.

“Ne gjithashtu kemi mjetet tona dhe dimë si ta luajmë lojën”, tha ministri iranian.

Edhe Kina ka reaguar ndaj masave të reja amerikane. Ministria e Jashtme kineze deklaroi se sanksionet dhe taktikat e presionit nuk ndihmojnë dhe se Pekini do të ndërmarrë masat e nevojshme për të mbrojtur interesat e tij.

Ndërkohë, konflikti ka shkaktuar rritje të çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare. Përballë presionit të ri, Irani ka paralajmëruar se mund të mbyllë të gjitha eksportet e naftës nga rajoni nëse lufta vazhdon, duke shtuar frikën për një përshkallëzim të mëtejshëm të krizës energjetike globale./K.C/dritare.net