Pas Pogradecit, Rama mbledh ministrat dhe drejtuesit politikë në selinë e PS
Dritare.net

Pas dy ditëve takime në Pogradec, kryeministri Edi Rama do të mbledhë sërish drejtuesit politikë të qarqeve dhe ministrat e kabinetit qeveritar. Mbledhja do të zhvillohet të premten, në orën 17:30, në selinë e Partisë Socialiste.
Takimi vjen pak ditë pas mbledhjeve me dyer të mbyllura në Pogradec, ku Rama dhe drejtuesit socialistë diskutuan për qasjen e re të qeverisë dhe Partisë Socialiste, me fokus te shqetësimet dhe problematikat e qytetarëve.
Gjatë takimeve në Pogradec, kryeministri kërkoi që shqetësimi i çdo qytetari të jetë në qendër të punës së qeverisë. Ministrave iu kërkua që çdo muaj të ndjekin nga afër punën e drejtorive në varësi, ndërsa drejtuesve politikë të qarqeve u është kërkuar një prani më e madhe në terren.
Kjo qasje e re e Partisë Socialiste është konkretizuar edhe në dy dokumentet e prezantuara së fundmi, “Besa” dhe “Prania Besnike”, që synojnë një angazhim më të drejtpërdrejtë të strukturave socialiste dhe institucioneve ndaj problematikave të qytetarëve.
Në Pogradec u prezantua gjithashtu platforma “Pasqyrë Albania”, e cila synon të mbledhë dhe të ndjekë ankesat e qytetarëve. Sipas planit të prezantuar, problematikat duhet të marrin përgjigje brenda dy javësh, ndërsa qytetarët do të kenë mundësi të ndjekin në kohë reale se në cilin institucion ndodhet kërkesa e tyre.
Platforma do të funksionojë përmes dy mekanizmave, “Flamingo Albania”, që do të mbledhë ankesat dhe shqetësimet, dhe “Radar”, që do të gjurmojë trajtimin e tyre nga ministritë, bashkitë dhe institucionet e tjera.
Në takimet në Pogradec, ministrat zhvilluan gjithashtu një analizë të punës së tyre dhe prezantuan prioritetet për sektorët që drejtojnë.
Mbledhja e së premtes në selinë rozë pritet të shërbejë si vijim i diskutimeve të zhvilluara në Pogradec dhe për koordinimin e mëtejshëm të punës së ministrave dhe drejtuesve politikë në qarqe./dritare.net