Pesë shqiptarë u riatdhesuan nga kampet e Sirisë, Rama: Një detyrim njerëzor dhe shtetëror
Dritare.net

Pesë shtetas shqiptarë, mes tyre dy gra dhe tre fëmijë, janë riatdhesuar nga kampet e Sirisë dhe kanë mbërritur në Shqipëri pas një operacioni të gjatë dhe të vështirë. Për këtë ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama, i cili e ka cilësuar kthimin e tyre në atdhe si një “detyrim njerëzor dhe shtetëror”.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama theksoi se përpjekjet për kthimin në Shqipëri të shtetasve të tjerë që kanë mbetur ende në Siri do të vijojnë.
“Pesë shtetas shqiptarë, nga të cilët 3 të mitur, u riatdhesuan nga Siria pas një procesi të gjatë dhe të vështirë, ndërkohë që vijon përpjekja për riatdhesimin e atyre që kanë mbetur ende në Siri”, shkroi kryeministri.
Rama e cilësoi operacionin si një përpjekje për t’u garantuar të riatdhesuarve një nisje të re nën kujdesin e institucioneve shqiptare.
“Një detyrim njerëzor dhe shtetëror, për t’u garantuar një fillim të ri nën mbrojtjen e institucioneve shqiptare”, u shpreh ai.
Pesë shtetasit mbërritën në Tiranë pak pas mesnatës së 26 gushtit, pas përfundimit të operacionit të koordinuar nga institucionet shqiptare, përfaqësitë diplomatike dhe konsullore shqiptare dhe autoritetet e vendeve të përfshira.
Pas mbërritjes, ata do t’i nënshtrohen kontrolleve shëndetësore dhe vlerësimeve psikosociale. Më pas pritet të vijojë procesi i akomodimit, rehabilitimit dhe riintegrimit të tyre në shoqëri.
Ndërkohë, qeveria shqiptare ka bërë të ditur se puna për riatdhesimin e shtetasve të tjerë shqiptarë që ndodhen ende në kampet siriane do të vijojë, me synimin që kthimi i tyre të realizohet në kushte të sigurta./K.C/dritare.net
