Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Pas 13 vitesh rikthehet trombektomia në QSUT, ndërhyrja jetëshpëtuese për goditjet në tru!

1787821069_evissala.jpg

Trombektomia mekanike është një ndërhyrje jetëshpëtuese që përdoret për goditje ishemike në tru. Përmes kësaj procedure, mjekët mund të ndërhyjnë për të hequr mpiksjen e gjakut. Prej sot ky shërbim rikthehet në QSUT pas një mungese shumë të gjatë.


“Që sot, trombektomia është në shërbim të qytetarëve në Qendrën Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’. Është një shërbim i strukturuar dhe i integruar i neuroradiologjisë diagnostikuese dhe intervenuese, që do të thotë se, përmes aparaturave moderne, mundësohet jo vetëm diagnostikimi, por edhe trajtimi i rasteve të insultit ishemik nëpërmjet trombektomisë mekanike. Në këtë shërbim do të trajtohen edhe patologji të tjera me origjinë vaskulare, si aneurizmat, të cilat deri më sot nuk trajtoheshin”, sqaroi ministrja Sala.


Një nga teknologjitë kryesore është angiografia digjitale me substraksion, e njohur si DSA, e cila u jep mjekëve pamje të detajuara të enëve të gjakut dhe i ndihmon gjatë ndërhyrjeve.

Gjatë inspektimit të ambienteve të reja, ministrja ë shëndetësisë Evis Sala tha se shërbimi do të funksionojë 24 orë në ditë dhe pritet të realizojë rreth 200 procedura të avancuara endovaskulare në vit.


Trombektomia është realizuar për herë të parë në QSUT rreth dy dekada më parë, por prej 13 vitesh ajo nuk ofrohej më për pacientët në sistemin publik.

Mjekët e neuroradiologjisë intervenuese kishin adresuar ndër vite kërkesa pranë drejtuesve të shëndetësisë, por pa marrë një zgjidhje. Pacientët detyroheshin t’i drejtoheshin spitaleve private, ku kostoja e ndërhyrjes shkonte në 20 mijë euro.

Në janar të vitit 2025, trombektomia nisi të ofrohej në Spitalin Memorial të Fierit.