Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Vrasja e Preng Bib Dodës! Profecia, prita në Zejmen dhe misteret e pazgjidhura!

ChatGPT Image Aug 27, 2026, 05_26_34 PM.png

Vrasja e zëvendëskryeministrit Preng Bib Doda, më 22 mars 1919, mbetet një nga atentatet politike më misterioze të historisë së shtetit shqiptar. Në emisionin “Dekalog”, gazetari Roland Qafoku sjell prapaskenat e ngjarjes, ku gjakmarrja u ndërthur me interesa politike dhe ndërkombëtare.

I lindur në Orosh të Mirditës më 1858, Preng Bib Doda ishte djali i vetëm i Bib Dodë Pashës, të vetmit pasha katolik të njohur zyrtarisht nga Porta e Lartë. Pas një karriere ushtarake në Perandorinë Osmane dhe 39 vitesh internim, ai u kthye në Shqipëri dhe u bë zëvendëskryeministër në qeverinë e Turhan Pashë Përmetit.

Para vdekjes, Preng Bib Doda kishte bërë një parashikim të frikshëm:

“Që Shqipëria të gjejë qetësi, duhet të vriten Ismail Qemali, Esad Pashë Toptani dhe unë.”

Mëngjesin e 22 marsit 1919, ai u nis me makinë nga Durrësi drejt Shëngjinit, pasi plani për të udhëtuar me anije ndryshoi në momentin e fundit. Në zonën e Zejmenit, pranë Lezhës, makina ra në një pritë të armatosur. Bashkë me të udhëtonte edhe diplomati britanik Morton Frederic Eden.

Sipas versionit të kohës, atentati lidhej me një histori gjakmarrjeje. Megjithatë, dokumentet dhe rrethanat e ngjarjes kanë ngritur dyshime se konflikti lokal mund të jetë përdorur për eliminimin e një kundërshtari të rëndësishëm politik. Në emision ngrihet edhe teza për përfshirjen e interesave italiane, të cilat e shihnin Preng Bib Dodën si pengesë.

Kur nisën të shtënat, ai u ngrit dhe u bërtiti atentatorëve:

“Më vritni mua, por mos qëlloni mbi të huajin, se është kundër zakonit tonë!”

Preng Bib Doda u vra në vend, ndërsa diplomati britanik mbeti i plagosur në krah.

Por vrasja vazhdon të ngrejë shumë pikëpyetje: Përse ndryshoi papritur itinerari? Si nuk arriti një nga njerëzit më të fuqishëm të kohës ta shmangte konfliktin që e kërcënonte? Kush përfitoi nga eliminimi i tij dhe përse kjo ngjarje u la në heshtje gjatë regjimit komunist?/E.P-dritare.net