Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Vlora Hyseni nën hetim nga SPAK, dy akuzat që rëndojnë ndaj drejtueses së SHISH

Drejtuesja e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, është vendosur nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe është pezulluar nga detyra. Vendimi është marrë nga Gjykata e Posaçme, në kuadër të hetimeve të SPAK për një fraksion të dosjes së AKSHI-t.

Hyseni dyshohet për dy vepra penale: “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”.

Sipas të dhënave të bëra publike, hetimi ndaj drejtueses së SHISH lidhet me provat e administruara nga SPAK në kuadër të procedimit ndaj biznesmenit Ergys Agasi.

Si mbërriti SPAK te Vlora Hyseni?

Hetimet ndaj Agasit janë zgjeruar pas sekuestrimit dhe këqyrjes së materialeve të gjetura në zyrën e tij. Mes provave të administruara nga SPAK janë edhe pamje filmike që dokumentojnë takime të Agasit me ministra dhe zyrtarë të tjerë të lartë.

Këto materiale, së bashku me prova të tjera, kanë shërbyer për Prokurorinë e Posaçme për të hapur një fraksion të ri të dosjes.

Gjatë seancës në Gjykatën e Posaçme të Apelit, Agasi ka pranuar se takimet e dokumentuara kanë ndodhur, por ka mohuar që ato të përbëjnë vepër penale.

Në kuadër të të njëjtit operacion, SPAK po kryen kontrolle edhe në banesën e Ilir Prodës, ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, si dhe në banesat e zyrtarëve të tjerë të policisë.

Ergys Agasi u arrestua disa javë më parë, pas rreth tetë muajsh në arrati, në kuadër të hetimeve për abuzime të dyshuara me tenderat.

Hetimet vijojnë, ndërsa SPAK po verifikon lidhjet dhe rrethanat që kanë çuar në zgjerimin e dosjes.

Vlora Hyseni dhe personat e tjerë të përmendur në këtë procedim prezumohen të pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë./L.F-dritare.net