Vdes në Hagë kasapi i Bosnjës, Ratko Mladiç. Ishte dënuar me burgim të përjetshëm
Dritare.net

Ratko Mladiç, ish-komandanti i Ushtrisë së Republikës Srpska gjatë luftës në Bosnje, ka ndërruar jetë në moshën 83-vjeçare në burgun e Hagës, raportojnë mediat serbe. Mladiç vuante prej vitesh nga probleme shëndetësore. Familja e tij, si dhe autoritetet e Serbisë dhe të Republikës Srpska, kishin kërkuar disa herë që ai të transferohej në Beograd për trajtim, por kërkesat ishin refuzuar.
Në qershor 2021, Gjykata Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë e dënoi përfundimisht me burgim të përjetshëm për gjenocid, persekutim, shfarosje, vrasje, deportim, terrorizim të popullsisë civile dhe sulme të paligjshme ndaj Sarajevës, si dhe për marrjen peng të personelit të OKB-së.
Mladiç u shpall fajtor për 10 nga 11 akuzat ndaj tij.
Ai u bë i njohur ndërkombëtarisht si “kasapi i Bosnjës”, veçanërisht për rolin e tij në masakrën e Srebrenicës në vitin 1995, ku u vranë më shumë se 8,000 burra dhe djem boshnjakë.
Pas përfundimit të luftës, Mladiç qëndroi i fshehur për rreth 15 vjet, pavarësisht kërkimeve ndërkombëtare. Ai u arrestua më 26 maj 2011 në fshatin Lazarevo, pranë Zrenjaninit, në Serbi.
Arrestimi erdhi pas viteve të presionit ndërkombëtar ndaj Beogradit për ta dorëzuar në drejtësinë ndërkombëtare. Për një periudhë të gjatë kishte pasur edhe dyshime se ai ishte ndihmuar nga persona brenda strukturave shtetërore serbe.
Mladiç mbetet një nga figurat kryesore të lidhura me disa prej krimeve më të rënda të luftës në Bosnje. Nën komandën e forcave serbe të Bosnjës, Sarajeva u mbajt nën rrethim për 1,425 ditë, gjatë të cilit u vranë më shumë se 12,000 persona.
Vdekja e tij në Hagë i jep fund jetës së një prej figurave më famëkeqe të luftërave të ish-Jugosllavisë, por krimet për të cilat ai u dënua mbeten një nga kapitujt më të rëndë të historisë së Ballkanit./K.C/dritare.net