
Shqipëria do të vijojë të jetë nën ndikimin e kushteve atmosferike relativisht të qëndrueshme gjatë kësaj të shtune. Moti do të jetë kryesisht i kthjellët në pjesën më të madhe të territorit, ndërsa gjatë mesditës dhe pasdites pritet shtim i vranësirave në zonat malore të lindjes dhe juglindjes.
Në këto zona nuk përjashtohen reshje shiu me intensitet të ulët, ndërsa në relievet malore mund të ketë shtrëngata të shkurtra të shoqëruara me shkarkesa elektrike.
Temperaturat do të mbeten shumë të larta, me vlerat maksimale që pritet të arrijnë deri në 40°C, ndërsa në disa zona të brendshme mund të shkojnë edhe më lart. Elbasani, Berati dhe Gjirokastra pritet të jenë ndër zonat më të nxehta të vendit.
Era do të fryjë nga juglindja dhe jugperëndimi, me shpejtësi mesatare rreth 7 m/s. Në vijën bregdetare, kryesisht në jugperëndim, si dhe në zonat luginore, era herë pas here mund të forcohet deri në 14 m/s.
Në det pritet valëzim i forcës 1-3 ballë.
Në përgjithësi, dita do të dominohet nga dielli dhe temperaturat e larta, ndërsa reshjet e izoluara do të jenë kryesisht të kufizuara në zonat malore./K.C/dritare.net