Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

17 mijë tekste për fëmijët e diasporës, shpërndahen në 15 shtete

Fëmijët shqiptarë në diasporë do të kenë në dispozicion tekstet mësimore në gjuhën shqipe edhe për vitin shkollor 2026–2027. Qeveria shqiptare ka parashikuar shpërndarjen e mbi 5700 paketave mësimore, me rreth 17 mijë tekste, në 15 shtete të Evropës, si dhe në SHBA e Kanada. Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, bëri të ditur se tekstet “Gjuha shqipe” dhe “Kultura shqiptare” do të jenë të disponueshme në tri nivele. Risia e këtij viti shkollor është përfshirja për herë të parë e nivelit të tretë, duke plotësuar ciklin e teksteve të përbashkëta për mësimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare në diasporë.


Deklarata e plotë:
"Përpara nisjes në një aktivitet ndërkombëtar, dua të them dy fjalë për librat për vitin shkollor 2026–2027 në Diasporë.

Janë parashikuar mbi 5700 paketa mësimore, ose rreth 17 mijë tekste, për 15 shtete në Evropë, si dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanada. Bëhet fjalë për tekstet e përbashkëta “Gjuha shqipe" dhe "kultura shqiptare” për nivelet e parë, të dytë dhe të tretë. Në bashkëpunim me Qendrën e Botimeve për Diasporën, si dhe Ministrinë e Arsimit, do të bëjmë çmos të plotësojmë 100 për qind të kërkesave.

E veçanta e këtij viti shkollor është përfshirja e nivelit të tretë, çka përbën një hap të rëndësishëm në konsolidimin e ciklit të plotë të teksteve të përbashkëta për Diasporën. Përfaqësitë diplomatike janë duke përditësuar të dhënat për numrin real të nxënësve, nivelet që ndjekin, mësuesit dhe adresat e shpërndarjes.

Për të gjithë të interesuarit, prindër e mësues në Diasporë, lutem ndiqni udhëzimet dhe njoftimet e përfaqësive tona diplomatike, ambasadave në secilin vend, për të qenë të informuar në kohë reale.", thotë Hoxha./K.C/dritare.net