Sejdiu i përgjigjet Kurtit: Jam tërhequr nga gara për President
Dritare.net
Profesori Bekim Sejdiu, i cili ishte propozuar si kandidat për President të Kosovës, ka konfirmuar tërheqjen e tij nga gara. Sejdiu ka bërë të ditur se për vendimin ka njoftuar kryeministrin Albin Kurti dhe drejtuesit e LDK-së, duke theksuar se nuk e konsideron të drejtë që emri i tij të përdoret për të shmangur zgjedhjet. Deklarata e Sejdiut vjen pasi kryeministri Albin Kurti, në konferencën e sotme, i bëri një ofertë PDK-së, duke thënë se nëse deputetët e saj sigurojnë votat e nevojshme për zgjedhjen e Bekim Sejdiut President, Vetëvendosje do ta votonte Ligjin për Specialen edhe në lexim të dytë.
“Bekim Sejdiu doli me ne në konferencë bashkë. Ishte dakord të zgjidhej president. Le të votojnë kundër, ose le të abstenojnë, por le të vijnë”, deklaroi Kurti.
Por Sejdiu sqaron se kandidatura e tij është tërhequr dhe se këtë qëndrim ua ka komunikuar drejtuesve politikë.
“Unë kam hyrë me idenë kur kam hyrë në fillim të shtatorit, me motivin e vetëm që të dal prej një ngërçi, por nuk u realizua sepse nuk u bënë votat. Rrjedhimisht, unë kam bërë një herë tërheqje publike dhe tani, normalisht, emrin për të ma përmendur s’mundem t’ia ndaloj askujt. E di që e bëjnë me qëllimin më të mirë të mundshëm, e di që kanë besim në mua, por unë i kam informuar që jam i tërhequr nga kjo garë. Unë ju kam thënë që jam i tërhequr, unë nuk jam i informuar. Unë, kur kam hyrë me LDK-në si propozuese, VV-në si mbështetëse, me atë konstelacion kam hyrë dhe kryesisht i kam bërë komunikimet me drejtues të LDK-së që më kanë propozuar e më kanë thirrur mua të hyj në këtë proces. E çmoj shumë edhe besimin e kryeministrit Kurti, por unë i kam njoftuar se jam tërhequr nga gara, ju kam treguar se nuk jam pjesë e garës.”, tha Sejdiu./K.C/dritare.net