Seancë maratonë, kuvendi miraton në parim buxhetin 2027, 80 vota pro dhe 25 kundër
Dritare.net

Pas 14 orësh seancë maratonë, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar në parim buxhetin e shtetit për vitin 2027, me vlerë rreth 10 miliardë euro. Projektbuxheti mori 80 vota pro nga mazhoranca socialiste, ndërsa 25 deputetë të opozitës votuan kundër, duke e cilësuar atë si “kriminal”.
Socialistët e konsiderojnë buxhetin një instrument për rritjen e investimeve publike dhe forcimin e mbështetjes sociale. Nga ana tjetër, opozita kundërshtoi edhe paketën fiskale për vitin 2027.
Konkretisht, Kuvendi miratoi:
Ndryshimet në ligjin për tatimin mbi të ardhurat: 80 vota pro, 25 kundër.
Ligjin për TVSH-në: 80 pro, 24 kundër.
Procedurat tatimore: 80 pro, 24 kundër.
Ligjin për akcizat: 80 pro, 25 kundër.
Ligjin për strehimin social: 79 pro, 25 kundër dhe 1 abstenim
Pas miratimit në parim, projektbuxheti do të rikthehet në komisionet parlamentare, ku do të shqyrtohet nen për nen dhe mund të pësojë ndryshime nëse pranohen propozimet e opozitës apo kërkesat e institucioneve.
Në përfundim të kësaj faze, buxheti do t'i rikthehet Kuvendit për votimin përfundimtar në tërësi./L.F-dritare.net