
Kryeministri Edi Rama do të mbledhë sot Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste dhe kabinetin qeveritar në Pallatin e Brigadave. Takimi pritet të nisë në orën 09:30 dhe do të fokusohet te bilanci i punës së Kuvendit dhe grupit parlamentar gjatë sesionit, si edhe te angazhimet e mazhorancës në vijim.
Fjalën hapëse do ta mbajë kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, i cili pritet të paraqesë një bilanc mbi drejtimin e institucionit, duke u ndalur te futja e teknologjisë në funksionimin e Kuvendit, si dhe perspektiva e godinës së re të Parlamentit.
Më pas, kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, do të raportojë mbi punën e grupit gjatë këtij sesioni parlamentar. Në fokus do të jetë angazhimi i deputetëve në komisionet parlamentare dhe pjesëmarrja e tyre në seancat plenare.
Takimi do të përmbyllet me fjalën e kryeministrit Edi Rama, i cili pritet të japë mesazhet politike dhe prioritetet për vijimësinë e punës së mazhorancës.
Mbrëmjen e shkuar kryeministri Rama publikoi në rrjetet sociale një pjesë nga fjalimi që pritet të mbajë sot. Në videon e publikuar në Facebook, kryeministri shfaqej duke shkruar fjalimin, ndërsa në sfond dëgjoheshin thirrje protestuesish që kërkonin dorëheqjen e tij. Rama komentoi me ironi se këto thirrje e ekzaltojnë.
Axhenda e mbledhjes:
09:30 – Hapja e mbledhjes;
Niko Peleshi – Bilanc mbi drejtimin e Kuvendit;
Taulant Balla – Bilanc i punës së Grupit Parlamentar të PS-së gjatë sesionit./L.F-dritare.net