Na ndiqni edhe në

Kosova dhe Rajoni

Vendimi për ish-krerët e UÇK/ Qindra shqiptarë mblidhen në Hagë dhe Kosovë

Në prag të shpalljes së aktgjykimit nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, qindra shqiptarë janë mbledhur mbrëmjen e së martës pranë selisë së këtij institucioni, duke shprehur mbështetje për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Pjesëmarrësit në tubim kanë mbajtur flamuj të Kosovës dhe Shqipërisë, ndërsa në duar kanë pasur pankarta dhe fotografi të ish-drejtuesve të UÇK-së.

Tubime në mbështetje të tyre janë zhvilluar edhe në Kosovë. Qytetarë janë mbledhur në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, si dhe në Skenderaj, duke përcjellë mesazhe solidariteti në prag të vendimit të gjykatës.

Atmosfera është shoqëruar me flamuj kombëtarë dhe të Kosovës, ndërsa pjesëmarrësit kanë kërkuar që procesi gjyqësor dhe vendimi përfundimtar të trajtohen në përputhje me drejtësinë dhe faktet e çështjes.

Shpallja e aktgjykimit pritet të jetë një moment i rëndësishëm për procesin gjyqësor ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, të cilët po gjykohen në Hagë për akuzat e ngritura nga Prokuroria e Specializuar.

Tubimet e zhvilluara në Hagë dhe në Kosovë kanë mbledhur qytetarë nga vende të ndryshme, duke e kthyer pragun e verdiktit në një moment me interes të madh publik për shqiptarët në Kosovë dhe në diasporë./L.F-dritare.net