Na ndiqni edhe në

Bota

Pedro Sançez ia doli

Pedro Sançez ia doli

Më në fund ia doli. Dhe bashkë me të ia dolën edhe qindra mijëra njerëz që dolën në rrugët e Madridit.

Pedro Sánchez riktheu në jetë dekretet për strehimin që sheshet i kërkonin prej javësh dhe që e djathta ia kishte rrëzuar vetëm katër ditë më parë.

Mund të kishte qëndruar i palëvizur dhe ta shfrytëzonte atë rrëzim deri në mitingun e fundit. Dy muaj duke përsëritur se e djathta votoi kundër shtëpive të spanjollëve, dekretet duke u valëvitur në çdo shesh si prova e krimit, dhe llogaria t’u paraqitej drejtpërdrejt në kutitë e votimit. E lehtë dhe fitimprurëse.

Sot, përkundrazi, Këshilli i tij i Ministrave i miratoi përsëri: dy dekrete të reja ligjore, njëzet e një masa, me të njëjtën përmbajtje thelbësore si ato që ishin rrëzuar.

Dëbimet nga banesat e familjeve në gjendje të cenueshme, kur nuk kanë një alternativë tjetër strehimi, pezullohen deri në vitin 2030 dhe ata që janë në rregull me pagesat dhe kanë kontratën që u skadon, mund të kërkojnë deri në dy vite shtyrje. Qiramarrësit me të ardhura nën 33 mijë euro do të kenë një zbritje tatimore prej 10% mbi qiranë, që për një qira prej 800 eurosh në muaj do të thotë pothuajse një mijë euro në vit. Ata që duan të blejnë një shtëpi, por nuk kanë para për parapagimin, do të mund të përfitojnë kredi me interes zero deri në 50 mijë euro, falë një fondi prej 10 miliardë eurosh. Ndërsa për fondet spekulative vendosen kufizime ndaj blerjeve spekulative, kurse për qiratë turistike vendoset TVSH.

Dhe pikërisht këtu qëndron goditja mjeshtërore.

Në Spanjë, një dekret-ligj hyn në fuqi sapo publikohet, ndërsa më pas, brenda tridhjetë ditësh, duhet të miratohet nga Parlamenti. Por, me Dhomat e shpërndara, ky votim i takon Diputación Permanente: një Parlament në format të reduktuar, i parashikuar nga neni 78 i Kushtetutës, i cili qëndron në detyrë gjatë periudhave të tranzicionit elektoral dhe ruan kompetencat e tij. Grupet politike janë të përfaqësuara aty në përpjesëtim me peshën e tyre dhe aty bilancet ndryshojnë.

Partia Popullore, Vox dhe Junts, të njëjtët që të premten i rrëzuan dekretet, në Diputación arrijnë në 34 vende. Qeveria dhe aleatët e saj kanë 35.

Një votë diferencë. Një votë që mjafton për t’i miratuar dekretet.

“Deri më 29 nëntor, qeveria do të vazhdojë të qeverisë”, tha Sánchez.

Dhe kështu bëri. Ai e vuri në lojë presidencën për Maricarmen, një grua 87-vjeçare që u nxor me barelë nga shtëpia e Madridit ku kishte jetuar prej shtatëdhjetë vjetësh, dhe për të gjithë spanjollët që nuk arrijnë më të përballojnë një shtëpi.

Ai hoqi dorë paraprakisht nga presidenca e tij vetëm që t’i çonte deri në fund ato dekrete. Dhe në fund, i çoi në shtëpi./dritare.net