Kurti i bën ofertë PDK-së: Presidenti sonte, Specialja të enjten
Dritare.net

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka bërë një ofertë publike Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për zhbllokimin e situatës politike në vend.
Kurti ka propozuar që presidenti i Kosovës të zgjidhet sonte, ndërsa të enjten paradite të votohet në lexim të dytë projektligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Ai i ka kërkuar PDK-së që të sigurojë pjesëmarrjen e të paktën gjysmës së deputetëve të saj në seancën ku do të votohet kandidati për president, Bekim Sejdiu. Sipas Kurtit, deputetët e PDK-së mund të votojnë edhe kundër kandidaturës, por duhet të jenë të pranishëm në Kuvend.
“Nëse PDK zotohet publikisht se i siguron së paku gjysmën e votave të deputetëve të tyre për Bekim Sejdiun, meqenëse pjesën tjetër i kemi bashkë me LDK-në, ne po procedojmë me votimin”, ka deklaruar Kurti.
Në këmbim, Kurti ka garantuar se 62 deputetë do të jenë të pranishëm të enjten në Kuvend për votimin e projektligjit për Dhomat e Specializuara.
“Unë garantoj si kryetar i LVV-së dhe si kryeministër që 62 deputetë do të jenë aty për të votuar projektligjin për Dhomat e Specializuara paraditen e së enjtes”, ka thënë ai.
Kurti ka kërkuar nga PDK-ja që të mos e bojkotojë Kuvendin, edhe nëse është kundër kandidaturës së Sejdiut.
“Nëse PDK është kundër, i them thuaje këtë me votë. Po u them votoni kundër, veç votoni. Mos bojkotoni Kuvendin, shfrytëzoni të drejtën tuaj kushtetuese”, ka deklaruar Kurti.
Sipas Kurtit, zgjedhja e presidentit është çështje urgjente, pasi dështimi për zgjedhjen e tij do ta çonte Kosovën drejt zgjedhjeve të reja. Ai ka argumentuar se çështja e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara kërkon një angazhim më afatgjatë dhe nuk duhet të lidhet me zgjedhjen e presidentit.
PDK-ja, ndërkohë, kërkon që fillimisht të votohet në lexim të dytë ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe vetëm më pas të vazhdohet me procedurën për zgjedhjen e presidentit. Kreu i saj, Bedri Hamza, ka deklaruar se nuk do të zhvillojë takim tjetër me Kurtin pa u votuar më parë ligji.
Përplasja mes dy subjekteve politike ka vijuar edhe në Kuvend, ndërsa para institucionit po zhvillohet protesta e dytë me kërkesën për votimin përfundimtar të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara./L.F-dritare.net