Na ndiqni edhe në

Kamera e Gjyshit

Pamje të rralla. Kur fliste Vaçe Zela!

WhatsApp Image 2026-06-13 at 17.17.47.jpeg

Mjeshtri i Fotografisë Stefan Gajo sjell në DritareTV një intervistë të rrallë të Vaçe Zelës me Shaqir Rexhvelaj, realizuar gjatë Festivalit të Zërave të Rinj. Në këtë bisedë të veçantë, ikona e muzikës shqiptare ndalet te roli i festivaleve në zbulimin e talenteve të reja, zhvillimi i muzikës shqiptare ndër vite dhe përgjegjësia që kanë artistët për t'u përmirësuar vazhdimisht.

Çfarë thoshte Vaçe Zela!

"Është kënaqësi të shohësh se, nga viti në vit, rritet numri i interpretuesve dhe i talenteve të reja. Unë kam ndjekur edhe festivalet e mëparshme dhe e kam vënë re këtë zhvillim të vazhdueshëm. Ky festival ka rëndësi jo vetëm sepse nxjerr në skenë këngëtarë të rinj, por edhe sepse i vë përballë përgjegjësisë këngëtarët e afirmuar, duke i nxitur të punojnë vazhdimisht për të ruajtur nivelin dhe formën e tyre artistike.

Do të shtoja gjithashtu se ka interpretime nga këngëtarët e rinj që janë vërtet shumë të arrira. Shpesh, dëgjuesi i radios apo telespektatori ruan në kujtesë interpretimet e këngëtarëve të dikurshëm dhe mendon se ato mbeten të pakrahasueshme. Por nuk është gjithmonë kështu. Disa nga interpretuesit e rinj kanë arritur rezultate edhe më të mira në interpretimin e këngëve të njohura të së kaluarës.

Kjo vjen sepse gjatë këtyre viteve gjithçka ka ecur përpara. Teknikat e regjistrimit janë zhvilluar jashtëzakonisht shumë dhe nuk mund të krahasohen me ato të dikurshmet. Orkestracionet janë më moderne, më pranë frymës së kohës dhe vetë orkestrat kanë arritur një nivel shumë më të lartë profesional. Në kohën kur këndonim ne, puna bëhej pothuajse mbi baza amatore, ndërsa sot kemi artistë të formuar profesionalisht, të diplomuar në Institutin e Lartë të Arteve. Prandaj, në çdo drejtim, ky festival është me shumë interes. Sigurisht që mund të ketë edhe mangësi apo mosarritje te ndonjë këngëtar i ri, por kjo është e kuptueshme. Kur del për herë të parë në skenë, nuk është e lehtë të japësh gjithçka që ke brenda vetes. Vetëm ne që kemi përjetuar emocionet e skenës e dimë sa e vështirë është të shfaqësh të gjithë talentin dhe aftësinë tënde kur je përballë publikut.", thoshte e madhja Vaçe Zela.

Mesazhi i saj për brezat e rinj mbetet i thjeshtë dhe i fuqishëm: "Me punë arrihet gjithçka. Ata duhet të punojnë sa më shumë për të arritur interpretime sa më të mira. Të jenë të thjeshtë, të natyrshëm, pa i dramatizuar gjërat, ose, siç themi ne, pa poza. Të jenë të dashur me publikun, ta duan këngën dhe të përpiqen të hyjnë në zemrat e njerëzve. Por kjo arrihet vetëm me punë. Talenti nuk u mungon. Përveç talentit, ata kanë edhe rininë dhe freskinë e tyre. Vetëm me punë do të arrijnë gjithçka. Kjo është ajo që mendoj unë."

Një dokument i çmuar arkivor, ku dëgjohet zëri dhe urtësia e artistes që mbetet simbol i papërsëritshëm i këngës shqiptare./dritare.net