Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Orest Sota në pranga të SPAK, kush është biznesmeni i përfshirë në hetimet për grup kriminal

1781251197_orestsota.png

Biznesmeni Orest Sota është arrestuar me urdhër të Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në kuadër të një operacioni të gjerë kundër një grupi të strukturuar kriminal të dyshuar për trafik droge dhe pastrim parash.

Sota është një emër i njohur për drejtësinë shqiptare, pasi më 1 nëntor 2017 u arrestua nga policia pasi u kap në automjet me rreth 863 mijë euro cash. Çështja e asaj kohe u hetua, por më pas u pushua.

Në prill të këtij viti, sipas raportimeve mediatike, Sota është paraqitur në SPAK ku ka dhënë shpjegime për rreth pesë orë në lidhje me hetimet që po zhvillohen për çështje që lidhen me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI). Në këtë hetim, në kërkim rezulton edhe Ergys Agasi, me të cilin Sota njihet për lidhje shoqërore dhe bashkëpunim biznesi.

Sipas të njëjtave burime, Orest Sota ka qenë më herët edhe ish-ortak në kompaninë “Equos”, e lidhur me Ergys Agasin. Gjatë pyetjeve në SPAK, ai është marrë në konsideratë edhe për marrëdhëniet dhe kontaktet e tij me persona të tjerë të përfshirë në hetime.

Emri i tij është rikthyer sërish në vëmendje pas operacionit të fundit të SPAK, ku dyshohet për përfshirje në një grup të strukturuar kriminal të trafikut të drogës.

Hetimet vijojnë, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë ende një qëndrim të detajuar zyrtar mbi rolin konkret të tij në dosjen në fjalë./L.F-dritare.net