“Nuk e kam dëgjuar kurrë”. Trump kritikon fituesen e Nobelit për Paqen!
Dritare.net
Presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar ashpër pasi Çmimi Nobel për Paqen 2026 iu dha juristes nga Afrika e Jugut, Navi Pillay. Ai e quajti vendimin e Komitetit Norvegjez të Nobelit “të turpshëm dhe poshtërues” dhe tha se ai ka lënë “një njollë të pashlyeshme” mbi Norvegjinë.

Trump e sulmoi Norvegjinë vetëm pak orë pasi komiteti ia dha çmimin Pillay, ish-gjyqtare e Gjykatës Penale Ndërkombëtare, e cila mbikëqyri një raport të OKB-së që arriti në përfundimin se Izraeli ka kryer gjenocid në Gaza.
Gjatë një tubimi elektoral në Syracuse të shtetit të Nju Jorkut, Trump e cilësoi Pillay si “person misterioz” dhe deklaroi: “Nuk e kam dëgjuar kurrë këtë person. Askush s’e ka dëgjuar.”
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të përfaqësuara nga unë si presidenti juaj, duhej ta kishin marrë Çmimin Nobel për Paqen, por nuk e morën”, tha Trump. Sipas tij, çmimi është diskredituar përgjithmonë nga “një grusht ideologësh radikalë”. Në rrjetet sociale Trump shkroi gjithashtu se Pillay “urren Izraelin”.
Komiteti Norvegjez i Nobelit vendosi t’ia japë çmimin Pillay “për përpjekjet e saj për të promovuar paqen dhe të drejtën ndërkombëtare”. Ajo shërbeu si Komisionere e Lartë e OKB-së për të Drejtat e Njeriut nga shtatori 2008 deri në gusht 2014, ndërsa karriera e saj shtrihet në më shumë se 50 vjet, nga lufta kundër aparteidit në vendlindje deri te mbrojtja e civilëve në zonat e konfliktit. Pillay ka drejtuar Komisionin e Hetimit për Territorin e Okupuar Palestinez dhe Izraelin, i cili arriti në përfundimin se Izraeli ishte përgjegjës për gjenocid në Gaza.
85-vjeçarja e priti lajmin me humor. Ajo ndodhej në një forum në Nuremberg të Gjermanisë kur u shpall fituese dhe, duke dalë nga gjykata e famshme, u tha të pranishmëve se nëse duartrokitnin edhe pak, mund ta ndante çmimin me Trumpin. Shakaja dukej se lidhej me opozitaren venezueliane Maria Corina Machado, e cila pasi fitoi çmimin vitin e kaluar ia dhuroi medaljen e artë Trumpit.
Kryetari i Komitetit të Nobelit, Jørgen Watne Frydnes, deklaroi se zgjedhja e Pillay është një mesazh i qartë për ata që ushtrojnë presion mbi këto institucione dhe sanksionojnë gjyqtarët. Disa orë pas shpalljes së fituesit, SHBA-ja njoftoi sanksione të reja ndaj Gjykatës Penale Ndërkombëtare.