Nobeli për Paqen 2026, Navi Pillay: Mendova se ishte shaka
Dritare.net

Navi Pillay, ish-komisionerja e Lartë e OKB-së për të Drejtat e Njeriut dhe ish-gjyqtarja në institucione ndërkombëtare, është shpallur fituese e Çmimit Nobel për Paqen 2026, për kontributin e saj në promovimin e paqes dhe të së drejtës ndërkombëtare.
E lindur në Afrikën e Jugut gjatë aparteidit, Pillay e nisi karrierën duke mbrojtur aktivistët kundër regjimit racist dhe të burgosurit politikë, mes tyre edhe Nelson Mandelën. Në vitin 1967, pasi firmat ligjore refuzuan ta punësonin për shkak të racës dhe gjinisë, ajo hapi zyrën e saj ligjore, duke u bërë gruaja e parë që e bënte këtë në provincën Natal.
Gjatë karrierës së saj ndërkombëtare, si gjyqtare në Tribunalin Penal për Ruandën, ajo kontribuoi në njohjen e përdhunimit dhe dhunës seksuale si akte që mund të përbëjnë gjenocid. Më vonë shërbeu në Gjykatën Penale Ndërkombëtare dhe drejtoi Zyrën e OKB-së për të Drejtat e Njeriut.
Vendimi i Nobelit vjen edhe si një mesazh për mbrojtjen e së drejtës ndërkombëtare, në një kohë kur komiteti vlerëson se institucionet dhe normat ligjore ndërkombëtare janë nën presion.
Pillay drejtoi gjithashtu një komision hetimor të OKB-së, i cili në vitin 2025 arriti në përfundimin se Izraeli kishte kryer akte gjenocidi në Gaza. Izraeli i ka hedhur poshtë këto gjetje. Komiteti i Nobelit ka sqaruar se çmimi iu dha për veprimtarinë e saj të përgjithshme dhe se nuk po merr qëndrim mbi përcaktimin ligjor të gjenocidit në Gaza.
Pas shpalljes së çmimit, Pillay reagoi me habi dhe humor, duke thënë se fillimisht mendoi se lajmi mund të ishte shaka. Ajo shtoi se, si juriste dhe gjyqtare, dëshironte ta verifikonte lajmin.
Navi Pillay bëhet kështu laureatja e pestë nga Afrika e Jugut që merr Nobelin për Paqen, pas Albert Luthulit, Desmond Tutut dhe Nelson Mandelës, i cili e ndau çmimin me F.W. de Klerk në vitin 1993./L.F-dritare.net