
Rama thirrje emigrantëve: Merreni vetë në postë, mos e lini votën rrugëve si letër pa vlerë!
Dritare.net
Për herë të parë, kryesocialisti Edi Rama komenton problemet me shpërndarjen e zarfeve me fletat e votimit për emigrantët shqiptarë në Greqi. Nga Gjirokastra ku zhvilloi takimin përmbyllës për këtë qark, Rama tha se në Greqi u bë një mishmash me ndarjen e zarfeve, por emigrantëve u bëri thirrje që të votojnë për të marrë në duar pasaoprtën europiane.
“Këtu përfitoj nga rasti, duke shpresuar dhe besuar që na shohin nga Greqia. Ju them, ju që jeni regjistruar për të votuar. U bë një mishmash, jo DHL, jo ku e di unë se ca. Por, tanimë mundësia është. Do ju lutesha atyre që janë regjistruar, të marrin zarfin, të marrin votën, të vendosin edhe ata për ta çuar në vend këtë amanet shekullor, për t’iu dhënë fëmijëve në Greqi dhe vetes tyre, këtë pasaportë europiane. Shqiptarët e Greqisë e janë ata që mund ta kuptojnë më mirë se gjithë shqiptarët, se ca do të thotë. Kjo pasaportë nuk është një dokument tjetër udhëtimi, kjo nuk është thjesht që ne kur shkojmë në aeroporte të mos na nxjerrin ashtu si të huaj, si qytetarë të dorës së dytë, për të filluar të na kontrollojnë”, tha Rama.
Ndërsa na ndajnë edhe 8 ditë nga zgjedhjet, Rama u kërkoi të gjithë atyre emigrantëve në Greqi që janë regjistruar për të votuar në zgjedhjet e 11 majit, që të shkojnë vetë në pikat postare që të marrin me çdo kusht zarfin dhe të votojnë. Vota e tyre, tha Rama, nuk mund të mbetet rrugëve si një copë letre pa vlerë.
“Ata që kanë kaluar malet, që janë rropatur dhe presin me ankth a do ju njihet pensioni, nuk mund ta lënë zarfin rrugëve, nuk mund ta lënë votën për të cilën janë regjistruar të mbetet si një copë letre pa vlerë. Duhet të shkojnë e ta marrin me çdo kusht dhe ta dërgojnë në Tiranë. ka edhe disa ditë kohë, është e mundur, u bëj thirrje ta dërgojnë në Tiranë”, tha Rama.
Ftesën për emigrantët, nuk e kishte vetëm për votë, por u kërkoi të rikthehen në vendin e tyre.
"Industria e turizmit është e gatshme të paguajë më mirë se sa në Greqi. E di që po na ndjekin edhe nga Greqia shumë bashkëqytetarë. Nuk duhet të dëgjoni zhurmën e kua-kuave të kënetës, Nuk duhet të pini ujin e kënetës as në mëngjes e sidomos në darkë, ku përhapen në ato berberhanet e natës ata që mbajnë titullin analist, por nuk janë asgjë tjetër veçse njerëz që jetojnë në një realitet të krijuar prej tyre me gjysmë të vërteta dhe që s’kanë asnjë lidhje me realitetin e ndërtuar prej nesh së bashku", tha Rama.
Rama shigjetoi edhe ata që mund të konsiderohen si opozita e re.
"Nuk duhet lënë ajo farë e keqe të mbijë, ndryshe nga këneta ka vetëm një gjë, këneta ka buf, ata kanë ca djem të rinj, në moshë, se në tru janë ca bufa të vegjë;", tha Rama./E.P-dritare.net

















