Na ndiqni edhe në

Bota

Rrëzimi tragjik i Air India, gjendet kutia e zezë

Rrëzimi tragjik i Air India, gjendet kutia e zezë

Një nga kutitë e zeza të avionit të Air India, i cili u rrëzua të enjten në Ahmedabad të Indisë, është gjetur brenda 28 orëve nga Byroja e Hetimeve të Aksidenteve Ajrore të Indisë (AAIB), njoftoi ministri indian i aviacionit civil, Ram Mohan Naidu Kinjarapu. Kjo pritet të ndihmojë ndjeshëm në zbardhjen e shkakut të tragjedisë.

Avioni “Boeing 787 Dreamliner”, i nisur drejt Londrës, u rrëzua në një zonë të banuar më pak se një minutë pas ngritjes nga aeroporti i Ahmedabad, duke shkaktuar vdekjen e 241 prej 242 personave në bord. Një person mbijetoi. Të paktën tetë persona humbën jetën edhe në tokë.

I vetmi i mbijetuar është Vishwashkumar Ramesh, një shtetas britanik 40-vjeçar, i cili ndodhej në vendin 11A. Ai tha se u zgjua pas përplasjes, hoqi rripin dhe doli nga avioni mes flakëve, duke parë me sytë e tij vdekjen e të tjerëve.

Në avion ndodheshin 169 shtetas indianë, 53 britanikë, 7 portugezë dhe një kanadez. Avioni ishte nisur në orën 13:39 me orën lokale dhe pritej të mbërrinte në aeroportin Gatwick të Londrës në 18:25 me orën britanike.

Hetimi po udhëhiqet nga autoritetet indiane me ndihmën e ekipeve nga SHBA dhe Britania, ndërsa kompania Boeing ka shprehur mbështetjen për hetimin.

Ndërkohë, vijon identifikimi i viktimave, shpesh përmes ADN-së, ndërsa vetëm gjashtë trupa janë dorëzuar deri tani te familjarët. Shumë të afërm të pasagjerëve janë ende në ankth, duke shpresuar për ndonjë mrekulli./K.C/dritare.net