Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Rama reagon ndaj mediave greke: Fjalët e mia u nxorën nga konteksti!

Rama reagon ndaj mediave greke: Fjalët e mia u nxorën nga konteksti!

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sot pas kritikave në disa media greke, të cilat pasuan një deklaratë të tij gjatë një paneli në Samitin e Zhvillimit të Qëndrueshëm në Abu Dhabi, ku ai mori pjesë së bashku me kryeministrin e Malit të Zi, Milojko Spajiç.

Rama iu drejtua moderatorit duke i thënë: “Ti nuk je pasardhës i Platonit dhe Aristotelit siç mendon” deklaratë që mediat greke e interpretuan si sulm të paprovokuar.

Lexo edhe :

Rama thekson se fjalët e tij nuk kishin asnjë qëllim tendencioz dhe se një fjali e shkëputur nga konteksti është kthyer në polemikë publike me tone nacionaliste.

Në reagimin e tij, kryeministri nënvizon respektin e plotë për Greqinë, kulturën dhe trashëgiminë e saj, duke përmendur filozofët e lashtësisë, si Platoni dhe Aristoteli, si dhe kontributin e gjerë të kulturës greke në qytetërimin europian. Ai shprehet se ushqen ndjenja pozitive për Greqinë dhe popullin grek, të cilin e cilëson një fqinj të pazëvendësueshëm dhe vëlla të patjetërsueshëm të shqiptarëve.

"Jam i mahnitur nga reagimi i disa mediave në Athinë e i ndonjë politikani të lodhur grek lidhur me tonet e mia aspak tendencioze, po me humor miqësor gjatë bashkëbisedimit me gazetarin e nderuar John Defterios në panelin e organizuar gjatë Samitit të Zhvillimit të Qëndrueshëm në Abu Dhabi!

Është e pabesueshme që një fjali e thënë me humor, të shkëputet totalisht nga konteksti e të kthehet në polemikë publike me pathos nacionalist, gjë që fatkeqësisht në Athinën mediatike ndodh shpesh!

Por i siguroj të gjithë të shqetësuarit e të lënduarit, se nuk kam as më të voglin dyshim që Platoni dhe Aristoteli janë filozofë grekë dhe që Greqia e Lashtë është shtrati i qytetërimit europian; që kultura greke meriton vetëm admirim, jo vetëm për filozofët e lashtësisë po edhe për poetët, shkrimtarët, kineastët e muzikën që i ka dhënë njerëzimit; që Greqia është një vend për të cilin unë ushqej ndjenjat më pozitive, që populli grek është për mua një fqinj i pazëvendësueshëm e vëlla i patjetërsueshëm i popullit shqiptar dhe që për kryeministrin e Greqisë ushqej një respekt të veçantë!

U kuptuam? Shpresoj po.

Por ama mos më kërkojë askush ndër të shqetësuarit dhe të lënduarit me humorin tim, që kush shkruan e flet greqisht me pathosin nacionalist të të larpërmendurve, të më duket si pasardhës i Platonit dhe Aristotelit!

Kaq."-shkruan Rama/E.P/-dritare.net