
Rama: Do të krijohet operatori kombëtar për trajtimin e mbetjeve
Dritare.net
Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se, pavarësisht përmirësimeve në proceset e pastrimit, ende nuk vihet re vetëdijesim nga qytetarët dhe as përmirësime të dukshme në trajtimin e mbetjeve.
Ai njoftoi se qeveria do të çojë përpara një paketë të re reformash, duke nisur me një projektligj për menaxhimin e integruar të mbetjeve.
“Së pari, kemi parashikuar krijimin e operatorit kombëtar të trajtimit të mbetjeve, një ndërmarrje e re në dispozicion të gjithë republikës dhe pushtetit vendor, që do të përqendrojë procesin e grumbullimit dhe trajtimit të mbetjeve,” tha Rama.
Sipas tij, ky proces nuk do të administrohet më nga bashkitë, por nga operatori i ri kombëtar, në bashkëpunim me hallkat e tjera të qeverisjes. “Bashkitë do të jenë klientë, ashtu si për shërbime të tjera,” shtoi kryeministri.
Kryeministri theksoi se reforma në trajtimin e integruar të mbetjeve, së bashku me masat ligjore dhe planin e investimeve, është një domosdoshmëri për rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian./L.F-dritare.net

















