
Niveli i rrezikut të zjarreve i lartë. 21 vatra zjarri gjatë 24 orëve të fundit, 9 ende aktive
Dritare.net
Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar gjithsej 21 vatra zjarri në të gjithë vendin, nga të cilat 9 mbeten ende aktive dhe 1 është në monitorim. Vatrat janë përqendruar kryesisht në sipërfaqe me shkurre dhe bimësi të ulët, duke shkaktuar djegien e mbi 32 hektarëve tokë pyjore dhe kullota.
Zjarret janë evidentuar në bashkitë Dibër, Mat, Bulqizë, Mallakastër, Vlorë, Elbasan, Belsh, Kurbin, Devoll, Korçë, Maliq, Përmet, Shijak dhe Malësi e Madhe.
Vatrat aktive janë:
Dibër – Parku Kombëtar Lurë, “Liqeni i Luleve”: Zjarri vijon në tre vatra me intensitet të ulët. Ndihmës kanë ardhur avionë Canadair nga Italia, si dhe janë angazhuar 30 forca të FA-së.
Mat – fshatrat Ulëz dhe Zall Gjoçaj: Në Zall Gjoçaj, zjarri në zonën “Përroi i Zi” mbetet aktiv. Relievi i thyer vështirëson ndërhyrjen me mjete.
Vlorë – Qafa e Shëngjergjit, mbi fshatin Dukat: Zjarri është shumë intensiv. Të ndihmuar nga erërat, flakët kanë përfshirë kurorën e pyllit me pisha. Janë angazhuar avionë Canadair grekë, 30 trupa të FA-së dhe një helikopter.
Elbasan – fshati Shmil, njësia Labinot-Mal: Puna për shuarjen vijon në një pyll me gështenja.
Lezhë – afër tunelit të Shkopetit, rruga Shkopet-Burrel: Zjarri në pyll me pisha dhe lisa është përballuar me ndërhyrje ajrore. Aktualisht punohet në lartësitë mbi fshatin Lurth.
Korçë – fshatrat Vernik (Devoll) dhe Dishnicë (Bulgarec): Forcat operacionale janë në terren për shuarjen e plotë të vatrave.
Gjirokastër – fshati Kosinë, bashkia Përmet: Vatra aktive në zonën e fshatit Kutal. Nuk raportohet rrezik për banesa.
Në monitorim:
Bulqizë – fshati Strikçan, njësia Zerqan: Zjarri po mbahet nën kontroll nga MZSH lokale me 1 automjet zjarrfikës dhe 9 efektivë.
Në përpjekjet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar:
684 forca operacionale
51 automjete zjarrfikëse
185 forca të Forcave të Armatosura me 19 mjete dhe 2 helikopterë
Kushtet atmosferike dhe rreziku:
Sipas IGJEUM, sot nuk priten reshje, ndërsa në të gjithë vendin niveli i rrezikut nga zjarret është i LARTË, përveç qarkut Durrës ku pritet një nivel i moderuar me rritje të rrezikut në pjesën juglindore të tij. Rreziku parashikohet të rritet më tej ditën e nesërme.
Thirrje për qytetarët:
Strukturat e mbrojtjes civile vijojnë angazhimin pa ndërprerje në menaxhimin e situatës. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të raportojnë menjëherë çdo rast të dyshimtë zjarri pranë institucioneve përkatëse./L.F-dritare.net

















