
Monika Lubonja: Qëllimi i përbashkët e bëri vetë bashkimin me politikën
Dritare.net
Arti dhe politika, në një mënyrë a një tjetër, janë takuar gjithnjë. Emrat që i janë bashkuar kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, janë disa. Më e fundit që ka dalë pranë tij është aktorja, Monika Lubonja.
Këtë verë i jam bashkuar stafit të Bashkisë së Tiranës sepse mendoj që kjo është e ardhmja, jo vetëm e këtyre viteve, por edhe e të ardhmes së fëmijëve tanë.
Në fakt, Lubonja është drejtuar pikërisht në targetgrupin me të cilin ka lidhur jetën dhe punën e saj prej një kohe të gjatë tashmë. Me fëmijët prioritet, në edukim dhe argëtim, Monika u është drejtuar pikërisht atyre.
Bashkë me kryetarin, e nisëm punën pak ditë më parë në njësinë numër 2, në Tiranë, ku isha e pranishme për të treguar përvojën time që në fakt nuk do të jetë e fokusuar vetëm në këtë njësi, por në të gjitha degët dhe nevojat që ka kryeqyteti.
Fokusi i Monikës janë shkollat, sepse aty janë fëmijët:
Jam në marrëdhënie të vazhdueshme me katër shkolla të Tiranës. Mendoj që çdo ide apo projekt artistik shërben direkt në zhvillimin e aftësive të tyre përforuese, por ndihmon edhe për t'i larguar nga ankthi që ka krijuar te të gjithë ne gjendja që ka krijuar pandemia.
Kjo ka qenë përherë puna e Monika Lubonjës, argëtimi i fëmijëve. Për vite drejtuese e Teatrit të Kukullave e më pas e angazhuar përmes projekteve private me ta, duke i angazhuar në muzikë e teatër.
Kjo më bëri t'i shkoj më në brendësi problematikave të fëmijëve dhe të rinjve, jo vetëm nga pikëpamja artistike. Duke qenë pranë tyre për orë të gjata të ditës, nuk mund të mos përfshihesh edhe në problemet e tyre të përditshme sociale, kështu që jam pranë tyre edhe si mikesh tashmë.
Të gjitha idetë që ka, i kanë përkuar kaq mirë Monikës me Bashkinë e Tiranës, sa bashkimi me ta erdhi vetë, si zgjatim i të gjitha përpjekjeve për gëzimin e fëmijëve.
Qëllimi i përbashkët e bëri vetë bashkimin sepse vetëm kështu mund të zhvillohen të gjitha projektet./dritare.net

















